Fundori nga Mali i Zi, Millosh Laktoviq, ka disa ditë që i është bashkuar KB Bashkimit. Mirëpo, ekipi nga Prizreni transferimin e tij e ka mbajtur sekret deri pak para fillimit të ndeshjes çerekfinale të Kupës së Kosovës kundër Golden Eagle Yllit. Në fakt, Bashkimi, dy orë para fillimit të këtij takimi, e zyrtarizoi në “Facebook” fundorin Laktoviq, duke paralajmëruar se ai ka ardhur enkas për Kupën e Kosovës dhe se do të jetë i gatshëm për lojë kundër Yllit.
“Basketbollisti nga Mali i Zi, Milos Latkoviq, është përforcimi më i ri i skuadrës sonë. Latkoviq i është bashkuar skuadrës dhe do të jetë i gatshëm sonte për ndeshjen e Kupës në ‘Final 8’, që do ta luajmë kundër Yllit”, thuhej në njoftimin e Bashkimit.
Një orë pas këtij lajmi, Bashkimi dha një njoftim tjetër, ku bëri të ditur se kundër Yllit do të paraqitej me “fanella të zeza të dizajnuara enkas për ‘Final 8’ të Kupës së Kosovës”. Mirëpo, Bashkimin nuk e shpëtoi as përforcimi Laktoviq, e as fanellat e reja nga eliminimi në çerekfinale të Kupës së Kosovës. Prizrenasit, të mërkurën mbrëma, pësuan humbje të thellë nga Ylli, ekip organizator i turneut “Final 8”, që do të mbahet në Suharekë deri të dielën (7 shkurt), kur do të zhvillohen finalet në të dyja konkurrencat. Ndeshja përfundoi me rezultatin 74:60 në favor të Yllit, që ishte ekip më i mirë dhe dominoi gjatë tërë ndeshjes. Laktoviq, 27-vjeçar, para ardhjes te Bashkimi ka luajtur edhe te Teodo, Mornari e Lovçeni në Mal të Zi, derisa karrierë ka bërë edhe tek ekipet Nassjo (Suedi) e BC Kyiv (Ukrainë). Fundori, i gjatë 196 centimetra, kundër Yllit luajti 16 minuta dhe ndeshjen e mbylli me dhjetë pikë të shënuara, katër kërcime dhe tri asistime. Më efikasi te Bashkimi ishte amerikani Sean Hoehn, me 13 pikë të shënuara, i përcjellë nga Julian Hamati (12). Pas eliminimit nga Kupa, Bashkimit i mbetet të fokusohet në kampionat. Aktualisht zë vendin e pestë në tabelë me 29 pikë të mbledhura, tri më pak se Ylli e Ponte Prizreni, që prijnë pas 19 ndeshjeve të luajtura.
“Asgjë nuk funksioni ndaj Yllit. Dështuam sidomos në çerekun e parë, ku nuk pati angazhim maksimal dhe kjo na kushtoi me humbje. Nuk është arsyeja lodhja apo ngarkesa, por neglizhenca për shkak se ndeshjen nuk e morëm me seriozitetin e duhur. Pas Latkoviqit, me siguri se do të marrim edhe ndonjë lojtar tjetër pasi ata që nuk japin maksimumin nuk mund të jenë pjesë e ekipit”, tha trajneri i Bashkimit, Illmen Bajra.
Skuadra e Yllit i fitoi të gjithë çerekët ndaj Bashkimit, kurse diferencën e bëri në dhjetëminutëshin e parë të cilin e përfundoi me shifrat 21:10. Më i dalluari tek Ylli në këtë triumf ishte Elyjah Clark me 13 pikë të shënuara, derisa Valon Bunjaku e Gëzim Morina shtuan nga 12 sosh për kokë.
“Luajtëm mirë në mbrojtje, por nuk kemi kohë të festojmë sepse duhet të bëhemi gati për gjysmëfinale. Ne duam trofeun dhe do të jemi të gatshëm edhe për gjysmëfinale”, shtoi trajneri i Yllit, turku Fatih Emre Gezer.
Skuadra e Yllit në gjysmëfinale do të përballet me Rahovecin, ekip që në çerekfinalen e parë të luajtur të mërkurën e eliminoi Trepçën që e mposhti me rezultatin e ngushtë 66:64. Në fakt, fituesi i kësaj ndeshjeje u vendos në sekondat e fundit dhe për Rahovecin kjo ishte fitorja e parë pas një serie prej katër humbjeve rresht në kampionat. Dueli mes Yllit dhe Rahovecit do të luhet të premten prej orës 16:00 dhe skuadra fituese e siguron kalimin në finale që do të zhvillohet të dielën. Sa u përket përballjeve në kampionat të këtyre dy skuadrave, Rahoveci ka triumfuar dy herë ndaj Yllit në po aq ndeshje të luajtura deri më tani. Isaiah Traylor ishte më efikasi te Rahoveci me 18 pikë të shënuara, derisa me lojë të mirë u veçuan edhe Altin Morina e Arian Qallaku. Morina ndeshjen e mbylli me 16 pikë të shënuara, derisa Qallaku shtoi 15 sosh.
“Kishim përballë Trepçën, një ekip që ka traditë të madhe dhe që këtë edicion mund lirisht të them se është pretendent për titullin e kampionit. Ne treguam një lojë të mirë, posaçërisht në mbrojtje, dhe fitorja ishte plotësisht e motivuar. Tash do të përgatitemi për ndeshjen gjysmëfinale dhe do të japim gjithçka nga vetja për të fituar dhe kualifikuar në finale”, tha trajneri i Rahovecit, Bujar Loci.
Te Trepça, Drilon Hajrizi ishte më i dalluari me “double-double” prej 23 pikëve e 12 kërcimeve, por që nuk mjaftoi për të vazhduar tutje në Kupën e Kosovës.
“Luftuam deri në fund, por gabimet fillestare në minutat e fundit që ishin të pabesueshme na kushtuan me humbje. Kështu që neve na mbetet të fokusohemi në kampionat, kurse Rahovecin e përgëzoj për fitoren dhe i dëshiroj suksese në Kupë”, deklaroi trajneri i Trepçës, Serhat Shehit.
Dy skuadrat e tjera gjysmëfinaliste të Kupës së Kosovës do të mësohen të enjten, kur do të zhvillohet edhe seria e fundit çerekfinale e kësaj gare. Prej orës 16:00 do të përballen Ponte Prizreni me Vëllaznimin, ekip që do të drejtohet nga trajneri i ri, kroati Branimir Paviq, që e angazhoi të mërkurën. Paviq te Vëllaznimi ka zëvendësuar Ljupço Malinkovin e shkarkuar, derisa gjatë edicionit 2015/16 ka qenë në krye të Trepçës. Vëllaznimi nuk di për fitore në tetë ndeshjet e fundit kampionale dhe zë vendin e fundit në tabelë me 23 pikë. Fituesi i këtij dueli në gjysmëfinale do të përballet me fituesin e çerekfinales tjetër, që luhet prej orës 19:00 ndërmjet Pejës dhe Prishtinës.