Ylli i Spanjës: Nuk ishte e lehtë të fitonim ndaj Kosovës

Mesfushori i Spanjës, Koke, ka thënë se furia e kuqe nuk e pati edhe aq të lehtë të fitonte kundër Kosovës në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës 2022 të mërkurën në Sevilla.

Spanja e mundi Kosovën 3:1 në një ndeshje të Grupit B kualifikues për Botërorin e Katarit, duke ua shkaktuar dardanëve disfatën e dytë në dy ndeshjet e para në grup.

Pas një dominimi të madh të vendasve në gjysmë orën e parë, Dani Olmo e theu akullin duke e kaluar Spanjën në epërsi kur e ka Samir Ujkanin të shtangur me një goditje mahnitëse që përfundoi në këndin e lartë të majtë të portës.

Vetëm dy minuta më vonë, Ferran Torres e dyfishoi epërsinë e spanjollëve pasi e zuri mbrojtjen e verdhekaltërve në befasi.

Besar Halimi i dha Kosovës një fije shprese në minutën e 70, në një ndeshje të vështirë për të, kur e mposhti Unai Simonin nga rreth 40 metra largësi, pasi portieri spanjoll e kishte braktisur portën.

Por Gerard Moreno ia shoi shpresat Kosovës dhe ia siguroi fitoren e dytë Spanjës me një gol me kokë, pas një rivënieje nga këndi në minutën e 76-të.

Koke beson se Spanjës iu desh të punonte fort për ta arritur fitores kundër Kosovës, pas barazimit zhgënjyes 1:1 me Greqinë dhe fitores së vështirë 2:1 kundër Gjeorgjisë në dy ndeshjet paraprake.  

“Nuk është e lehtë të fitosh në këtë fazë kualifikuese për Katar 2020 sepse të gjitha ekipet dëshirojnë të shkojnë në Kupën e Botës”, tha mesfushori i Atletico Madrid.

“Sot bëmë lojë shumë të mirë. Luajtëm fort për ta kërkuar golin kundër Kosovës por ende kemi vend për përmirësim”, shtoi ai.

Spanja është lidere e Grupit B me shtatë pikë, pas tri ndeshjeve, e ndjekur nga Suedia me gjashtë pikë pas dy ndeshjeve. Greqia është e treta me dy pikë nga dy ndeshje.

Gjeorgjia është e parafundit me një pikë nga tri ndeshje, ndërsa Kosova e fundit pa pikë nga dy ndeshje.