Xhiroja e fundit për pjesën e parë të sezonit në Superligë, sot zhvillohen tri ndeshje

Ballkani – Gjilani dhe Llapi – Prishtina janë dy ndeshjet e mëdha që do ta mbyllin pjesën e parë të sezonit në Superligë

Pjesa e parë e sezonit në BKT Superligën e futbollit do të mbyllet me dy ndeshje të mëdha.

Ballkani – Gjilani pa dyshim do të jetë derbi i xhiros së 18-të të ligës elitare.

Në fakt, këtë fundjavë do të dihet më saktësisht se cila skuadër do të dimërojë në krye.

Aktualisht therandasit prijnë në tabelë me një pikë më shumë se gjilanasit.

Për Ballkanin, një fitore eventuale do të thoshte shkëputje në tabelë dhe pushim më i qetë.

Kurse, “Skifterat” do të mundohen po ashtu ta fitojnë lojën për ta rimarrë kreun e tabelës.

Ndërsa, një tjetër ndeshje e madhe e fundjavës do të jetë ajo në mes të rivalëve të vjetër, Llapi dhe Prishtina.

Llapjanët momentalisht e zënë vendin e katërt e prishtinasit të pestin.

Asnjëri ekip nuk guxon të gabojë nëse dëshiron ta ndjek kreun e tabelës. Prandaj, edhe kjo do të jetë një super-përballje.

Llapjanët vijnë nga barazimi me Dukagjinin në udhëtim, kurse kampionia aktuale nga humbja në shtëpi nga Drita.

Drita ndërkohë do të mundohet ta shfrytëzojë gabimin e skuadrave në derbi për t’u ngritur në tabelë.

“Intelektualët” aktualisht janë në vendin e tretë dhe këtë xhiro e presin Ulpianën.

Në duelet tjera të fundjavës takohen edhe Feronikeli me Drenicën dhe Malisheva me Dukagjinin.