Po luhej minuta e 90-të. Xherdan Shaqiri ishte në mesin e fushës. Prej mesit të fushës së Zvicrës i erdhi një top i mirë. Xherdani shtyu topin para dhe nisi vrapin. E fitoi duelin e shpejtësisë me lojtarin që duhej ta ruante. Arriti shpejt “si plumb” në zonën e kundërshtarit dhe gjuajti saktë. Topi përfundoi në rrjetë.
2:1 për Zvicrën. 2:1 ndaj Serbisë. Në skenën më të madhe të futbollit. Në Kupën e Botës.
Menjëherë me dy duart e bëri figurën e shqiponjës. Më pas hoqi fanellën dhe tregoj muskujt para tifozëve të Serbisë. Bëri sërish figurën e shqiponjës dhe në këtë mënyrë feste iu bashkuan edhe Granit Xhaka dhe kapiteni i atëhershëm i Zvicrës, Stephan Lichtsteiner.
Nuk ka shqiptar që nuk i është gëzuar atij goli të Xherdan Shaqirit. Janë gëzuar edhe zviceranët, por me gjasë jo sa shqiptarët. Kishte të bënte me kundërshtarin më shumë se me Shaqirin e natyrisht më shumë se me Zvicrën.
Ishte 22 qershori i vitit 2018. Zvicra po fitonte 2:1 ndaj Serbisë në Kaliningrad të Rusisë falë atij goli të Shaqirit. Zvicra më pas u kualifikua nga grupi E. Serbia u eliminua.
Katër vjet më pas, të hënën, Xherdan Shaqiri i dha fund karrierës te Zvicra. Karriera e tij ndërkombëtare ishte impresive. Ndër të tjera është lojtari i vetëm që ka shënuar gola në tre Botërorët dhe tre Evropianët e fundit. Këtë nuk e ka arritur as Cristiano Ronaldo e asnjë lojtar tjetër.
E ka arritur Xherdani, djaloshi nga Zhegra që ka bërë shumë për Zvicrën, por me gola si ai ndaj Serbisë edhe për futbollin shqiptar.
Xherdani ka përfunduar karrierën ndërkombëtare në moshën 32-vjeçare. Për Zvicrën i ka luajtur 125 ndeshje, ndërsa i ka shënuar 32 gola. Secili gol i tij ishte më i bukur e më i rëndësishëm se tjetri. Por natyrisht ai në Rusi, ndaj Serbisë, do të kujtohet gjithnjë. Nëse jo për ndonjë gjë tjetër, për gëzimin pa masë që solli te shqiptarët.
Ndaj Serbisë, Xherdani shënoi edhe në Kupën e Botës në Katar në vitin 2022. Sërish Zvicra fitoi e sërish Serbia u eliminua.
Shaqiri luajti për Zvicrën edhe në Euro 2024, që të dielën përfundoi në Gjermani. Shënoi gol ndaj Skocisë në fazën e grupeve. Ishte supergoli i radhës i tij. Më pas qëlloi traversën nga korneri ndaj Anglisë, dhe realizoi penallti. Por nuk mjaftoi që Zvicra ta kalonte çerekfinalen e Evropianit.
Në Zvicër janë bërë pyetje nëse Xherdani duhet të mbetet në përfaqësuese për shkak të rolit të vogël që kishte në Evropian. Dhe ai, disi papritur, vendosi të tërhiqet. U tërhoq si kampion i madh, si lojtar që ka shkruar histori për përfaqësuesen e Zvicrës.
“Shtatë turne, shumë gola, 14 vjet me ekipin përfaqësues të Zvicrës dhe momente të paharrueshme. Është koha për t’i thënë lamtumirë ekipit nacional. Kujtimet e mira mbesin dhe të gjithëve u them: Faleminderit”, ka shkruar Shaqiri në një postim në rrjetet sociale, të hënën pasdite.
Ai kishte debutuar te Zvicra në mars të vitit 2010 në miqësoren ndaj Uruguait. Gjashtë muaj më pas realizoi golin e parë, ndaj Anglisë. Ndaj Anglisë e luajti ndeshjen e fundit në karrierën profesionale.
Me Shaqirin, largohet një pjesë e madhe e historisë së Zvicrës, ka shkruar federata e këtij vendi.
“Duam të falënderojmë shumë për shumë paraqitje të paharrueshme, gola të shkëlqyer e asistime në ekipin nacional dhe të dëdshirojmë çdo të mirë dhe shumë sukses në të ardhmen. T’i ke prekur zemrat tona dhe zemrat e tifozëve tanë me lojërat dhe golat tua”, i është drejtuar federata zvicerane Shaqirit.
Shumë lojtarë e ish-lojtarë të Zvicrës kanë komentuar në postimin e Shaqirit për largim nga përfaqësuesja. Natyrisht, mediat zvicerane dhe mediat e mëdha ndërkombëtare kanë shkruar për këtë.
Shaqiri është prej më meritorëve, nëse jo më meritori, që Zvicra është bërë përfaqësuese serioze evropiane. Tani Zvicra paraqitet rregullisht në kampionate evropiane e botërore, ndërsa kalimi i grupit as që diskutohet.
Gazeta e madhe zvicerane “Blick” ka paraqitur momentet kryesore të Shaqirit në gjashtë ngjarjet e mëdha. Janë përmendur “hat-tricku” ndaj Hondurasit në Botërorin 2014, goli me goditje gërshërë ndaj Polonisë në Euro 2016, goli ndaj Serbisë në Botërorin “Rusia 2018”, dy golat ndaj Turqisë në Euro 2020, goli ndaj Serbisë në “Katari 2022” dhe goli ndaj Skocisë në “Euro 2024”.
“Blick” ka shkruar se Shaqiri i ka dhënë formë përfaqësueses së Zvicrës.
Mediumi tjetër i fuqishë zviceran “20 Minuten” ka shkruar se me pensionimin e Shaqirit një epokë ka përfunduar. Edhe ky medium ka paraqitur momentet kryesore të Shaqirit me përfaqësuesen helvetike.
Momentet e shkëlqimit të Shaqirit me Zvicrën janë të shumta. Por asnjë nuk mund të krahasohet me golin ndaj Serbisë.