Xhemaj i PDK-së: Nga vendi më proamerikan, Kurti e katandisi Kosovën në një vend me sanksione prej amerikanëve

Drejtori i Zyrës për Komunikim në PDK, Bashmir Xhemaj ka kritikuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti për qëndrimet e tij karshi raporteve Kosovë-SHBA.

Xhemaj përmes një postimi në Facebook ka shkruar se Kurti në vazhdimësi është tallur me Amerikën dhe përfaqësuesit e saj më të lartë.

“Qasja e tij kundër Amerikës është njëri nga top-dështimet më të mëdha në politikën e jashtme të tij si kryeministër në 100 ditëshin e punës së qeverisë. Nga vendi më pro-amerikan në botë, ai e katandisi Kosovën në një vend me sanksione prej amerikanëve. Dhe si të mos mjaftonte, të njëjtën frymë e ndoqën edhe anëtarët e kabinetit të tij”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

Kur kryeministri Kurti përgojonte Amerikën dhe Shtëpinë e Bardhë nga foltorja e Kuvendit dhe sulmonte më vonë në mediat ndërkombëtare për ndërhyrje në rrëzimin e qeverisë, u mendua si një shkarje momentale e tij. Shprehjet poshtëruese të tipit “shtëpia e bardhë, shtëpia e verdhë” u konsideruan si pasojë të ngarkesës së tij emocionale. Edhe kur sulmoi disa herë hapur dhe publikisht të dërguarin e Presidentit Trump, ambasadorin Grenell për qëndrime të njëjta me ato të Beogradit, sërish u arsyetuan si deklarata të shkëputura dhe që nuk janë kundër Amerikës. Madje lidershipi i Vetëvendosjes nëpër media u distancua nga linçimi e fyerjet që militantët e kësaj partie bënin në rrjetet sociale kundër figurave kryesore shtetërore të SHBA-ve.

Por e vërteta është ndryshe, sepse ato deklarata u përsëritën me vetëbesim dhe me zë të lartë nga kryeministri i shkarkuar. Ato janë qëndrime në vazhdimësi të Kurtit i cili është tallur me Amerikën dhe përfaqësuesit e saj më të lartë. Ai sërish projeksionin e tij të antiamerikanizmit e reduktoi në fjalët tallëse, shpotitëse e përçmuese Amelika..Amelika..Amelika!