Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla i ka dhënë leje të martën për të lëvizur në tërë territorin e Kosovës, Aleksandër Jabllanoviqit, ish-ministrit të shkarkuar, i cili nënat nga Gjakova sa ishte ministër në Qeverinë Mustafa i pat quajtur egërsira.
Vendimin e nënshkruar nga Sveçla e ka publikuar këshilltari i Presidentit Thaçi, Adil Behramaj në Facebook.
Sipas tij, pas izolimit të qytetarëve dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, i kërcënojnë me arrestime, kurse Aleksandër Jabllanoviqit i jap leje speciale për të lëvizur në tërë Kosovën.
“Xhelal Sveçla, si ushtrues detyre i ministrit, dje i paska dhënë leje speciale për të lëvizur lirshëm në tërë territorin tonë edhe Aleksandër Jabllanoviqit, ish-ministrit të shkarkuar, i cili nënat që nuk i kishin lejuar pelegrinët serbë të hynin në Gjakovë i kishte quajtur edhe egërsira. Lëvizja Vetëvendosje atëherë e kishte shfrytëzuar këtë deklaratë të poshtër të tij për të organizuar protesta të dhunshme gjithandej Kosovës, duke e djegur në fund edhe objektin e Qeverisë. Tash qytetarët i kanë izoluar, deputetët e Kuvendit të Kosovës i kërcënojnë me arrestime, kurse Aleksandër Jabllanoviqit i japin edhe leje speciale për të lëvizur në tërë Kosovën. Na ka mbetur neve të skuqemi për paturpësinë e tyre!”, ka shkruar Behramaj.