Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti thotë se presidenti duhet të zgjidhet dhe jo të provokohen zgjedhjet e reja. Deputeti Haliti i tha Gazetës Express se do varet nga qëndrimi i partisë por që e ruan të drejtën e tij autonome si deputet se si do të votojë.
Pas zgjedhjes së kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, institucioni i vetëm që ka mbetur pa u konstituuar është presidenca.
Koalicionit fitues të zgjedhjeve i duhen të paktën 80 vota në Kuvend për të zgjedhur presidentin e ri, teksa pretendetja kryesore është Vjosa Osmani.
Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti i tha Gazetës Express se presidenti duhet të zgjidhet shpejt dhe të mos provokohen zgjedhjet e reja.
“Unë kam thënë që është mirë me e votu kandidatin për president dhe kam folur edhe për mundësinë e kandidimit të ndokujt nga opozita por ajo që është me rëndësi është që unë mendoj që është mirë me u zgjedh presidenti sa më shpejt dhe mos i provoku zgjedhjet e reja”, tha Haliti.
I pyetur nëse do të votonte pro Vjosa Osmanit, Haliti tha se varet prej qëndrimit të partisë por e drejta e votës individuale si deputet ekziston.
“Varet prej qëndrimit të partisë, pastaj a pajtohem me partinë apo jo, e drejta jonë është me votu si të na merr mendja, jemi deputetë. Vërtetë është në interes të Kosovës me e kriju edhe institucionin e presidentit. Kjo është realitet, situata aktuale, VV-ja i ka fitu zgjedhjet dhe ne duhet të presim dhe të shohim si po punon dhe të fitojmë betejën opozitare pastaj në variantin që e mendojmë”, tha Haliti.
Ai tha tutje se do ta shqyrtonte votën e tij nëse koalicioni fitues VV-Lista “Guxo” do të siguronte 79 vota për presidentin.
“Po do ta shqyrtoja fort bile, por nuk e di a do të votoja”, u shpreh Haliti.
Kurse, kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj ka deklaruar se si parti nuk e votojnë Vjosa Osmanin për presidente pasi sipas tij “ajo është një figurë përçarëse dhe për këtë çështje është folur në Këshillin Drejtues të partisë dhe kjo temë është e mbyllur”.
Vjosa Osmani sot ka zhvilluar një takim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku me të cilin kanë diskutuar për çështjen e zgjidhjes së presidentit dhe votat e këtij subjekti politik.
Abdixhiku ndëkaq para mediave ka thënë se për takimin dhe diskutimet që kanë pasur sot do të diskutojnë edhe në parti, dhe pasi të marrin qëndrimin e partisë dhe pas një takimi tjetër me Vjosa Osmanin do të kenë edhe qëndrimin përfundimtar, nëse do ta përkrahin atë si presidente.
“Në këtë takim kemi diskutuar çështjet me interes rreth krijimit të institucionit të presidentit. Ka qenë takim i frytshëm dhe pozitiv në atmosferë të mirë. Kemi diskutuar platformën që pretendentja për presidente dëshiron ta ndërtojë. Në këtë platformë kemi dhënë diskutimet tona. S’kemi vërejtje. Kemi diskutuar edhe pozicionin e saj karshi akterëve partiak, kemi avancuar në këtë aspekt. Do të takohemi edhe një here”, ka thënë Abdixhiku.