Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), ka respektuar çdo vendim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), duke mbyllur edhe xhamitë nëpër gjithë territorin e Kosovës.
Me lehtësimin e masave të marra kundër COVID-19, edhe BIK-u do të fillojë të hap xhamitë në bazë të rekomandimeve të IKSHPK-së dhe vendimeve të MSH-së, shkruan Telegrafi.
Kështu ka thënë për Telegrafin, kryeimami Sabri Bajgora.
“Ne si BIK ende nuk kemi marrë ndonjë vendim për hapjen e xhamive dhe çdo vendim që do ta marrim do të jetë në koordinim të plotë me MSH dhe IKSHP. Fundja, prioritet i BIK në radhë të parë është shëndeti i qytetarëve. Pastaj secili shtet i ka specifikat e veta, kështu që ne presim që kthimi në xhamia të bëhet në mënyrë graduale dhe të kujdesshme prej datës 18 maj”, tha Bajgora.
Xhamitë priten të hapen pra në fazën e dytë të lehtësimit të masave nga Ministria e Shëndetësisë.
Faza e dytë planifikohet nga 18 maji deri më 1 qershor, ku planifikohen të lirohen masat varësisht nga situata epidemiologjike.