Xhafer Tahiri: LDK nuk duhet të ketë votë kundër Vjosa Osmanit

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Xhafer Tahiri ka thënë se qëndrimi i LDK-së në raport me Vjosa Osmanin do të varet nga garancitë që jep kjo e fundit në lidhje me paanësinë e saj si presidente.

“Hapi i parë është ndarja e Vjosa Osmanit me Lëvizjen Vetëvendosje. Do të qartësohet më shumë pozicioni ynë pas takimit që do të ketë Abdixhiku me Osmanin…Në radhë të parë unë mendoj se LDK nuk duhet të ketë votë kundër Vjosa Osmanit”, tha ai në “Debat Plus”.

Tahiri thotë se personalisht mendon se deputetët e LDK-së duhet të votojnë pro Vjosa Osmanit por sipas tij kjo gjë do të vendoset nga organet drejtuese të partisë.

“Nuk kam drejtë vote në Kuvend por në Kryesinë e LDK-së pa dyshim do të jetë votë kontruktive për themelimin e institucioneve, vota ime do të jetë në harmoni me qytetarët e Kosovës dhe padyshim që do të jetë pozitiv për t’u përzgjedhur Osmani presidente pasi thash që LDK-ja nuk do të bëj gabimet e kaluar”, tha ndër të tjera Xhafer Tahiri.