Will Smith e ka pranuar ndalimin që i është bërë për një dekadë nga Academy Awards të premten në mbrëmje.
Fituesi 53-vjeçar i çmimit “Aktori më i mirë” këtë vit, reagoi pasi bordi i guvernatorëve të Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Filmit vendosi ta ndalojë atë nga ceremonitë e Oscars dhe ngjarjet e tjera të Akademisë, për 10 vitet e ardhshme, pasi ai goditi aktorin Chris Rock në skenë, gjatë ceremonisë e cila u mbajt më 28 mars.
“Unë pranoj dhe respektoj vendimin e Akademisë”, ka thënë Smith në një deklaratë të siguruar nga revista People.
Akademia përcaktoi se “për një periudhë 10 vjeçare, nga 8 Prilli 2022, Smith nuk do të lejohet të marrë pjesë në asnjë ngjarje apo program të Akademisë, personalisht ose virtualisht, duke përfshirë, por pa u kufizuar në Çmimet e Akademisë”, sipas një letre dërguar nga Presidenti i Akademisë David Rubin dhe CEO Dawn Hudson.
Smithi ka goditur Rockun gjatë ceremonisë së këtij viti, pasi ai kishte përqeshur flokët e gruas së Smith, Jada Pinkett Smith, e cila vuan nga sëmundja e alopecisë.