Ish-amabasdori i misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker ka bërë homazhe sot në varrezat e 45 civilëve që u vranë në Reçak nga forcat serbe.
Në 25 vjetorin e kësaj masakre, Walker ka thënë se nga sakrifica e shumë djemve të fshatit, Kosova sot gëzon një demokraci plotësisht funksionale.
“Kam ardhur t’u them tungjatjeta miqve të mi në Reçak, ku disa prej tyre i njoh që 25 vjet. Disa prej tyre janë ndarë nga jeta dhe siç mund ta shihni asaj rruge jam edhe unë”, ka thënë Walker.
Ai ka shtuar se është hera e parë e tij që vjen në Reçak me bastun në duar, derisa u shpreh krenarë që ndodhet në këtë fshat.
“Kjo është hera e parë që duhet të vij me bastun, por prapë dua të jem në Reçak në çdo rast që mundem. Për mua është shumë emocionuese. Është një histori e mrekullueshme për të cilën populli i këtij fshati fatkeqësisht është dashur të sakrifikojë shumë djem të fshatit. Ju tani keni një Republikë të Kosovës, një president, një kryeministër, një demokraci plotësisht funksionale dhe jam shumë krenar që jam këtu me ju në këtë vend që do të thotë shumë për mua, për popullin e Reçakut dhe për të gjithë Kosovën”, është shprehur ai.