Dy muaj që kur Fatmir Limaj s’është bërë i gjallë më për publikun, por jo edhe për Vetëvendosjen.
Dy apo tri takime të tij me Albin Kurtin u raportuan në media, të cilat as s’u pohuan e as u mohuan zyrtarisht.
Por, se Limaj “është ulur” me Kurtin, siç pati paralajmëruar vetë se ulet, e konfirmoi më në fund Mimoza Kusari-Lila në “Euronews Albania”.
Tha se “nuk mund të them” që ka marrëveshje finale mes VV-së dhe Nisma-s, por se tre votat e Limajn janë dhënë në “gatishmëri” nga ky i fundit.
Është thënë jozyrtarisht në raportime – asnjëra të demantuara – se madje se Limaj ka kërkuar tre ministri dhe postin e kryeparlamentarit.
Por, tre votat e tij që supozoheshin të përmbyllnin mozaikun qeveritar së-paku-61-votësh, gjetën minus-tre te pakicave jo-serbe.
Dhe kësisoji, sips Mimoza Kusari-Lilës, VV-së i mungojnë “dy vota”, duke i ll0garitur të Nisma-s, për të ndërtuar shumicë të thjesht parlamentare.
Porosia e Haradinajt për Limajn
Deri tash Ramush Haradinaj e ka mbajtur volumin e vogël të denonicimin ndaj Limajt, duke ia lexuar për “strategji negocuese”.
Por, në një paraqitje më të fundit te Astrit Gashi në “Blic”, Haradinaj iu referua në emër dhe mbiemer Fatmir Limajt, që të mos ia bëjë shpëtimtarin Albin Kurtit: sepse “do të japë llogari gjithkush…pavarësisht se çfarë të kaluara të lavdishme ka”.
“Kjo porosi është edhe për Limajn dhe Nismën në radhë të parë, sepse kemi qenë bashkërrugtar: Mos harroni, nuk ka me mujtë kush me i ikë përgjegjësisë për të këqijat që i ndodhin vendit, kushdo që e ndihmon Kurtin, për çfarë do llogarie”, ka thënë Haradinaj.
“Na do të kemi pasoja, dhe ata që marrin pjesë në krijimin e këtyre pasojave do të japin llogari. Nuk kanë me mutjë më i ikë përgjegjësisë, kushdo qoftë, cilado qoftë e kaluar e lavdishme e tyre”, shtoi ai.
Kthesa e Limajt
Vetëm dy-tri ditë iu deshën Limajt t’i shkundtte si pluhur jo të vetin nga këpucët qëndrimet (para)elektorale ku para mëse një viti hyri në koalicion me AAK-në
Në “Debat Plus” para dy mnuajsh ai u kujdes të saktësojë herë-herë që AAK dhe NISMA “janë dy parti të ndryshme, të veçanta”, kësisoji duke e autonomizuar vendimarrjen.
Me të zbardhur dita tjetër Ramush Haradinaj i pati çuar mesazh Limajt se “e keqja ka emër, Albin Kurti” dhe kësisoji nisi avalanshi i reagimeve të ndërsjella AAK – NISMA; dhe gjithandej spektrit publik e mediatik. Më së ashpri: Bekë Berisha.
Porosia e PDK-së për Limajn – te LDK-ja
“Nuk mujm m’e majt peng askënd”.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, duke folur në “Rubikon” te Adriatik Kelmendi, teksa po artikulonte ngërçin që ka kapluar mundësinë e një koalicionimi ish-opozitar, konstatoi se, sa i përket Fatmir Limajt, ai “nuk mund të mbahet peng” në rastin e mospajtimit të ish-opozitës për të gravituar bashkë në një qeveri.
“Absolutisht e preferon” një qeveri nga partitë ish-opozitare, u shpreh dukshëm me siguri, Memli Krasniqi, teksa po fliste për betonizimin e qëndrimeve të LDK-së.
“Limaj absolutisht preferon që partitë që kanë qenë në opozitë me bë qeverinë e ardhshme, por që pastaj nëse përnjëmend nuk jemi të aftë m’u marrë vesh, është çështje tjetër – nuk mujm m’e majt peng askënd. Secila parti mban përgjegjësi për vete”, tha Memli Krasniqi.