​VV-ja synon zgjedhje këtë vit, Nagavci thotë se do të përdorin mjetet demokratike dhe paqësore


Lëvizja Vetëvendosje do të përdorë të gjitha mjetet politike për të kërkuar zgjedhjet e reja në Kosovë. Anëtarja e kryesisë së Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci thotë e në mënyrë paqësore dhe demokratike brenda këtij viti do të insistojë të shkojnë tek kutitë e votimit.

E dyta e legjislativit thotë se edhe numri i madh i nënshkrimeve në peticionin e tyre po dëshmon se vullneti i qytetarëve është për një qeveri legjitime.

“Ne synojmë të kemi një peticion me numër të madh të nënshkrimeve të qytetarëve. Besojmë se është lehtë e realizueshme. Janë qytetarët që po na kontaktojnë për çdo ditë të kenë mundësi, nga forma më të ndryshme që të shprehin pakënaqësitë e tyre me këto veprime jo legjitime…Do të vazhdojmë me veprime tjera politike, me të gjitha mjetet politike e demokratike paqësore që ne i kemi në dispozicion”.

Ajo u shpreh e sigurt se zgjedhjet e reja në Kosovë do të jenë para se të vijë koha e zgjedhjes së presidenti të ri. Proces të cilit i kanë mbetur edhe rreth shtatë muaj, e që mund të dërgojnë vendin në zgjedhje. E të parin e vendit, Hashim Thaçi, Nagavci e cilëson si përçarës dhe mosunifikues.

“Ne presim që të kemi zgjedhje të reja para se të vije koha për zgjedhjen e presidentit. Për fat të keq kemi një president, që jo vetëm që erdhi në atë pozitë me metodat që i kemi parë, nën tymin e gazit dhe shënjestrat e snajperistëve. Pra erdhi një president, jo vetëm që i cili e zuri atë pozitë me shantazhe dhe formën më së paku demokratike, por edhe e vazhdojë atë pozitë duke qenë një person që nuk kujdeset për ruajtjen e unitetit”, u shpreh Nagavci.

Anëtarja e kryesisë së Vetëvendosjes thotë se deputetët që votuan qeverinë Hoti janë vënë në shërbim të presidentit Thaçi.

“Ata me vetëdije janë bërë bashkë në realizimin dhe vënien në shërbim të presidentin Thaçi”, u shpreh ajo për KP.

Ndërkaq, Nagavci thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka treguar sa të instrumentalizuara janë institucionet në Kosovë.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese veçse e tregon sa të instrumentalizuara janë institucionet tona. Sido që të jetë meqenëse ne tashmë e kemi adresuar kërkesën tonë në Gjykatën Kushtetuese, ndonëse nuk kemi pritur një vendim të tillë, i cili më shumë është politik se sa akt i mirëfilltë juridik”, thotë ajo.

Të mërkurën e kësaj jave në Kuvendin e Kosovës u votua qeveria e koalicionit të LDK-së me kryeministër, Avdullah Hotin.