Presidentja Vjosa Osmani të mërkurën priti në një takim liderët e partive politike për të diskutuar rreth datës së zgjedhjeve nacionale në vend, në të cilin takim nuk morën pjesë disa krerë të partive politike, e njëri ndër ta edhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
E, nga kjo parti deklaruan se në mungesë të Kurtit në këtë takim do të merrte pjesë, nënkryetari i partisë, Glauk Konjufca i cili u refuzua nga Osmani, pasi siç deklaroi ajo “ ky takim konsultativ është vetëm për nivel të kryetarëve, këtë parim e kemi mbajtur për të gjithë”.
Mirëpo, me këtë deklaratë të Osmanit nuk po pajtohen nga LVV-ja duke kërkuar nga presidentja të tregojë se mbi çfarë baze kushtetuese e ligjore refuzon zëvendësimin e kryetarit të subjektit politik.
Këtë pyetje përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, e bëri deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi.
“Kryeministri Kurti nuk mund të jetë në dy vende njëkohësisht, andaj ai është dashur të peshojë: ta anulojë pjesëmarrjen e konfirmuar qysh para tri javësh në drekë me 21 ambasadorë, apo të shkojë aty dhe në vend të tij me partitë politike te Presidentja Osmani të shkojë nënkryetari i parë dhe kryeparlamentari Konjufca. Me të drejtë e ka përzgjedhur të dytën. Pyetja që duhet shtruar është: mbi çfarë baze kushtetuese e ligjore Presidentja refuzon zëvendësimin e kryetarit të subjektit politik (që është edhe Kryeministër) me nënkryetarin e parë (që është edhe Kryeparlamentar)?”, ka shkruar Rrustemi.