Policia e Kosovës për arrestimin e mbrëmshëm: Qytetari ofendoi dhe kërcënoi zyrtarët policorë

Policia e Kosovës për arrestimin e mbrëmshëm: Qytetari ofendoi dhe kërcënoi zyrtarët policorë.

Policia e Kosovës të shtunën mbrëma ka ndaluar një qytetar në sheshin e Prishtinës për mosmbajtje të maskës, derisa edhe është arrestuar më pas.

Në pamjet e videos e cila erdhi në adresë të Koha.net, shihet se për arrestimin e tij janë angazhuar katër policë.

KOHA ka marrë edhe një përgjigje nga Policia e Kosovës për rastin. Sipas PK-së, personi ka qenë pa maskë për çka është ndaluar fillimisht dhe më pas nuk ka përfillur urdhrat e zyrtarëve të policisë.

Pasi atij i është kërkuar dokumenti i identifikimit dhe në momentin kur ka kuptuar se po i shënohet fletëparaqitje, ka filluar të përdorë shprehje ofenduese dhe kërcënuese si dhe sjellje arrogante, për çka policia është detyruar të përdorë forcë.

Zëdhënësi i PK-së, Daut Hoxha, për KOHËN ka thënë se një zyrtar ka marrë lëndime për shkak të sjelljeve të pakontrolluara dhe rezistente të të dyshuarit.

“Reth orës 21:30 njësia policore gjatë realizimit të detyrave dhe kompetencave ligjore, konkretisht gjatë patrullimit në sheshin “Nënë Tereza” ka hasur në personin e dyshuar me inicialet (B. S; 1988) i cili ka qenë pa maskë. Të njëjtit ju është tërhequr vërejtja disa herë, por nuk ka përfill urdhrat e zyrtarëve policor, kur atij iu është kërkuar dokumenti i identifikimit nga zyrtaret dhe ka kuptuar se po i shënohet fletëparaqitje sipas ligjit, ka filluar të përdorë shprehje ofenduese dhe kërcënuese, duke shfaqur po ashtu sjellje arrogante kundrejt zyrtarëve policor, në një moment ai ka ngritur dorën në drejtim të zyrtarëve policor ku të njëjtit janë detyruar të përdorin forcën e domosdoshme, proporcionale duarthatë për ta venë nën kontroll të dyshuarin. Gjatë arrestimit një zyrtar policor ka marrë lëndime nga sjelljet e pakontrolluara dhe rezistente nga i dyshuari. I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor Qendra, për procedura të mëtejme lidhur me rastin e pengimin të personit zyrtar ne kryerjen e detyrës zyrtare. Lidhur me rastin po ashtu janë njoftuar Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës, Inspektorati Policor i Kosovës dhe Prokurori i Shtetit për procedura të mëtejme. I dyshuari dërgohet në mbajtje per 48 orë”, është sqaruar ai.