Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka anuluar të gjitha tubimet elektorale për ditën e sotme (e martë),me arsyetimin se “situata në Serbi është e vështirë”.
Dhe kjo vështirësi, sipas gazetës “Blic”, vjen nga refuzimi që i ka bërë Qeveria e Kosovës Serbisë për organizimin e zgjedhjeve 3 prillit.
Vuçiqi pas mbledhjes të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, nisi takimin me udhëheqësit serbë të Kosovës, ku bën pjesë edhe një ministër i Qeverisë Kurti – Goran Rakiq dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, që janë anëtarë të Listës Serbe.
“Kjo është një situatë shumë e rëndë për vendin. Do të shohim se çfarë do të ndodhë në takimin me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova”, ka thënë Vuçiq në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, sipas burimit të gazetës “Blic”.
Më 3 prill, në Serbi do të mbahen zgjedhjet presidenciale, parlamentare dhe lokale për disa komuna, përfshirë Beogradin.