Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ka ritheksuar se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Pak ditë para takimit në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se, Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Madje ai ka ironizuar duke e këshilluar ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, që të mos shpenzojë kot kerozinë për avionë që të udhëtojë për në Uashington, pasi që Haradinaj kishe thënë se, në takimin e 2 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, Kosova duhet të shkojë për marrëveshje përfundimtare me Serbinë.
Sipas tij, në Uashington mund të ketë bisedime vetëm për tema të caktuara.
“Nëse Haradinaj thotë se po shkon për një marrëveshje përfundimtare, ai mund të kthehet menjëherë pa shpenzuar kerozinë për avion. Ne do të shkojmë në Uashington për të diskutuar temat e vendosura. Ne mund të flasim për çdo temë, por nëse ato marrin gjithçka dhe nuk marrim asgjë, dhe nëse i pranojmë ato, ai film nuk do të shikohet. Për sa kohë që unë jam i vetëdijshëm dhe për aq kohë sa unë mund të mendoj në mënyrë racionale, askush nuk do ta shikojë atë film”, tha Vuçiq duke shtuar se, bisedimet e ardhshme me siguri nuk do të jenë të lehta.
Ai theksoi se në Bruksel do të bisedojë për mbrojtjen e Manastirit të Deçanit, teksa e pranoi se Serbia nuk mund të garantojë mbrojtjen e tempujve serbë në territorin ku praktikisht me vite nuk ka pushtet.