Vuçiq: S’planifikoj të nënshkruaj asgjë


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se “nuk planifikon të nënshkruajë asgjë” në takimin e 18 marsit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në një fjalim para popullit serb të enjten në mbrëmje, Vuçiqi ka thënë se “nuk ka pranuar ndonjë draft të asaj që e do Bashkimi Evropian” në negociatat për normalizim raportesh midis Kosovës dhe Serbisë.

“Ne kemi dorëzuar propozimin tonë, shqiptarët të tyrin. Nuk kemi pranuar asgjë nga Brukseli”, ka thënë Vuçiqi, raporton “N1”.

Ai ka shtuar se do të jetë “i pari” që do ta shpalosë draftin sapo ta ketë atë. “Nuk kam fshehur kurrë asnjë shkronjë”, ka thënë ai.

Ai ka akuzuar kritikët “se të gjithë shpresojnë që do të nënshkruhet ndonjë marrëveshje”.

“E vetmja gjë për të cilën ata shqetësohen është që të kenë shansin ta gjuajnë publikisht presidentin e Serbisë”, ka thënë Vuçiq.

Sipas tij, normalizimi i raporteve s’ka të bëjë asgjë me njohje de facto apo de jure të Kosovës.

“Për mua, normalizimi është të kemi raporte më të mira me shqiptarët se që kemi sot”, ka thënë Vuçiqi.

Ai ka pyetur të gjithë nëse “do të donin që ai të hynte në luftë me NATO-n”.

Vuçiqi ka komentuar edhe spekulimet nëse do t’ia lërë kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, nënshkrimin e ndonjë marrëveshjeje të mundshme.

“Kur të dëgjoni diçka të tillë nga dikush, ndihuni të lirë t’i thoni në fytyrë se është gënjeshtar… Kur dikush të nënshkruajë diçka, unë do ta bëj, dhe nuk planifikoj të nënshkruaj asgjë”, ka thënë ai.

Kurti dhe Vuçiqi më 18 mars do të takohen në Ohër të Maqedonisë së Veriut, për të diskutuar për planin e zbatimit të propozimit evropian, për përmbajtjen e të cilit u dakorduan më 27 shkurt në një takim në Bruksel.

Kurti është shprehur optimist për marrëveshje.