Vuçiq: Serbia do të përballet me masa të ashpra nëse se pranon planin franko-gjerman


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbinë e presin masa të ashpra, përfshirë ndalimi i procesit të integrimit evropian, tërheqja e fondeve dhe ndryshim të regjimit të vizave, nëse nuk e pranon propozimin që njihet si franko-gjerman.

Vuçiq në konferencë për media, ka thënë se këto paralajmërime i janë bërë të premten, gjatë vizitës që emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe këshiltarët për politikë të jashtme të Gjermanisë, Francës dhe Italisë.

“Të gjithë kemi parë versione të planit franko-gjerman. Nuk është më vetëm i tyre dhe për këtë do të flasim më vonë. Kur shikoni një letër, gjeni lehtësisht kundërshtime dhe në atë letër nuk ka asgjë me të cilën mund të jemi të kënaqur. Kam marrë pjesë në të gjitha bisedimet, qysh edhe prej kohës kur në krye ishte Ivica Daçiq, dhe nuk është dukur kurrë kështu. Shtrohet pyetja pse? Fakti është se rrethanat gjeopolitike kanë ndryshuar, Evropa është de facto në një luftë. Nuk ka tolerancë për të kërcyer në kuptimin politik, dhe nga ana tjetër, duan në oborrin e tyre, dhe jemi në oborrin e tyre, duan çdo gjë qysh kanë dëshirë ata”, tha Vuçiq. “Jam i shqetësuar, nuk do të vendosi problemet nën tepih. Erdhën pesëshja, tre përfaqësues të vendeve më të mëdha të Evropës. Në të dytën fjali më është thënë se duhet të pranojmë këtë plan dhe se nëse nuk e pranojmë, sepse mendojnë se duhet pranuar, do të përballemi me ndërprerjen e procesit të integrimit evropian, nën dy, do të përballemi me ndalimin dhe tërheqjen e investimeve, nën tre, me masa gjithëpërfshirëse në kuptimin politik dhe ekonomik. I citova dhe më i përsëritën edhe tri herë. Çdo herë kam reaguar shumë ashpër për këtë”.