Vuçiq: Luftë e ashpër, por e suksesshme në Bruksel

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të martën në mëngjes se një ditë më parë ka pasur diskutime të ashpra por të suksesshme në Bruksel. Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në një video në Instagram, Vuçiqi ka thënë se ka luftuar për “të ardhmen e Serbisë në paqe dhe vazhdimin e investimeve”.

Ai ka shtuar se e mban “premtimin si president i Serbisë dhe Kosovës e Metohisë, si pjesë të Serbisë”.

Vuçiqi ka thënë se në televizionin publik, gjatë ditës, do “t’u përgjigjet të gjitha manipulimeve, gënjeshtrave, që ka thënë se po shpërndahen nga ‘luftëtarët e tastierave’”.

“Po analizoj çka ka ndodhur. Kemi luftuar aq sa ka qenë e mundur në ato kushte të vështira dhe kemi luftuar për të ardhmen e Serbisë në paqe, për vazhdim të investimeve për shtetin tonë. Dhe po ashtu unë e mbaj premtimin për Kushtetutën e Serbisë dhe Kosovën e Metohinë si pjesë të Serbisë”, ka thënë Vuçiqi. “Për ne, s’ka tjetër Serbi, e kemi një dhe do ta mbrojmë”.

Të hënën, Vuçiqi e kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel u dakorduan për tekstin e propozimit evropian për atë që po cilësohet marrëveshje bazë për normalizim. Pas takimit, Kosova u shpreh se ishte e gatshme ta nënshkruante, por këtë s’e bëri Serbia.