Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se ata që nuk jetojnë në Kosovë duan të vendosin pushtetin në veri, derisa tha se personat që s’i kanë një apo dy për qind të votave, po e kërkojnë pushtetin.
Siç raportoi të dielën mediumi serb B92, Vuçiq u shpreh se serbët nuk do të dëgjojnë askënd tjetër “e as s’do t’iu shërbejnë interesave të askujt”.
“Serbët duan t’u shërbejnë interesave të tyre, duan paqe me të gjithë, duan t’i respektojnë të gjithë, por mbi të gjitha duan të luftojnë për interesat e popullit të tyre”, u shpreh ai.
Duke shpërndarë fotografi të disa vendvotimeve në veri të Kosovës, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se ato përshkruajnë në të vërtetë “sundimin e ligjit” dhe kuptimin e vërtetë të “zgjedhjeve demokratike”, të mbështetura nga komuniteti ndërkombëtar.
“Zgjedhje – të lira dhe të ndershme, me forca të armatosura dhe me mjete të blinduara! Kjo është Evropa në shekullin 21”, shkroi Bërnabiq në Twitter, raportoi REL-i.
“Kjo tashmë bëhet normë e re demokratike, e prezantuar dhe e mbështetur nga krijuesit e Republikës së Kosovë”, shtoi ajo.