Vuçiç: Kurti më pyeti se kur do ta njoh Kosovën, i thashë ‘asnjëherë’

Ka përfunduar takimi në Bruksel midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ky i fundit ka thënë se, pas një raundi të ri të bisedimeve në Bruksel, është rënë dakord që dialogu në nivelin më të lartë të vazhdojë deri në fund të korrikut.

Pas këtij takimi, Vuçiç para mediave deklaroi se Kurti e pyeti se kur do ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe se përgjigjja e tij ishte “kurrë”.

“U ra dakord për të vazhduar dialogun deri në fund të korrikut. Shpresoj që kjo është një gjë e rëndësishme, e cila mund të garantojë ruajtjen e paqes dhe stabilitetit dhe gjithçka tjetër do të ishte e panevojshme për t’u komentuar”, u tha Vuçiç gazetarëve, raporton Novosti.

Siç u shpreh ai, shqiptarët nuk duan të flasin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, derisa Serbia ta njohë Kosovën e pavarur.

“Ata pyetën urgjentisht dhe menjëherë për të dëgjuar se kur do ta njohim pavarësinë e Kosovës. Dhe ata i quajtën incidente dhe provokime faktin që serbët duan të marrin pjesë në liturgji në kishat e tyre. Unë isha shumë i mirë, sepse nuk doja të tregoja gjëra të tjera, në mungesë të plotë të përgjigjeve reale”, shtoi Vuçiç.

“Sot kemi dëgjuar prej tyre që Jezusi lindi më 14 shkurt, e dëgjojmë për herë të parë. Ne ofruam gjithçka dhe u thamë atyre se do të jepnim gjithçka për viktimat që u duheshin, por ata nuk donin të flisnin për këtë. Ata donin të flisnin për Veljko Odalovic. Serbia nuk do të ndalet së foluri për dialog”, tha Vuçiç.

Ndërkohë Kurti, i shoqëruar nga zëvendësi i tij, Besnik Bislimi, ka udhëtuar për në Bruksel.

Të premten e 11 qershorit, në seancën plenare në Kuvendin e Kosovës, Kurti pati pohuar se mungesa e afateve kohore e ka dëmtuar procesin e dialogut.

“Ne jemi vend i pavarur, koha që kalon duhet ta ndryshojë realitetin në Serbi e t’i pranojnë krimet që kanë bërë në Kosovë. Pse të ngutemi, kur e kemi shpallur pavarësinë, askush nuk e ka menduar njohjen nga Serbia”.

Ndërsa ka kritikuar Bashkimin Evropian, duke thënë se presioni duhet të jetë mbi Serbinë, e jo mbi Kosovën.

Po ashtu, ai gjatë raportimit të tij para deputetëve kishte theksuar se Kosova duhet “të sillet ashtu siç është, si një vend që s’i ka borxh kujt, por na kanë borxh shumë çka”.

Sipas kryeministrit, shkuarja e tij në dialog është për ta mbrojtur Kosovën.