Mbrëmë u raportua për ngjarjen tragjike që ndodhi në fshatin Peran të Podujevës, ku mbeti i vdekur Edon Ismajli, (28-vjeçar) të cilin dyshohet se e vrau babai i tij, Naim Ismajli, (53-vjeçar). I dyshuari qëlloi në drejtim të të birit pas mosmarrëveshjeve lidhur me pronën. Sipas informacioneve të para, i riu, Edoni, u vra në traktor me disa plumba të kallashnikovit pas një debati me babain, që përfundoi tragjikisht.
Sinjali ka mësuar se kallashnikovin me të cilin u shkrepën katër plumba në drejtim të Edonit, njësitë policore e gjetën rreth 100 metra larg traktorit, me të cilin viktima ishte duke punuar. Përveç Peranit, ku ndodhi ngjarja, bastisje është kryer në fshatin Bajqinë.
Ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, teksa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit tashmë kanë filluar.