Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se sasia e informacioneve për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit është duke u shtuar.
Ai pasi ka bërë homazhe te busti i senatorit Bob Dole, tha se hetuesit më të mira janë të përfshirë në këtë rast.
“Sasia e informacionit për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Deçanit është duke u shtuar, meqenëse hetuesit më të mirë tanë janë të përfshirë atje. Mirëpo kur të kenë diçka konkrete sa i përket të pandehurit ose të pandehurve që e kryen këtë vrasje të trefishtë mizore, ne natyrisht që do t’iu njoftojmë me kohë”, tha ai.
Autobusi ka qenë duke qarkulluar në relacionin Gjakovë – Deçan, në kohën kur kanë ndodhur të shtënat.
Nuk është ende e qartë nëse autobusi ka qenë cak i të shtënave.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti e patën cilësuar ngjarjen si “tronditëse” dhe i kanë ftuar organet e rendit që t’i zbulojnë autorët e krimit dhe t’i sjellin para drejtësisë. Ende nuk dihet ende autori e as motivet e sulmit që tronditi Deçanin mbrëmjen e së premtes të 26 nëntorit.
Ngjarjen e kanë dënuar edhe përfaqësues të tjerë të institucioneve dhe partive politike në Kosovë.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka premtuar 20 mijë euro për çdo qytetarë që jep informacione për të dyshuarit që janë të përfshirë në këtë vrasje.