Prokuroria Themelore në Pejë sot do të mbajë një konferencë për media, ku do të shpalos të gjeturat e hetimit për njërën nga vrasjet më tronditëse të ndodhura në Gllogjan të Deçanit.
Kështu është bërë e ditur nga kjo prokurori përmes një komunikate për media.
“Prokuroria Themelore në Pejë ka shpalos të gjetura e hetimit rreth vrasjes së trefishtë në Gllogjan, që kishte ndodhur në nëntor të vitit 2021”, thuhet në komunikatë.
Ndryshe, siç merr vesh Telegrafi bëhet fjalë për vrasjen e trefishtë të ndodhur në nëntor të vitit 2021. Po ashtu, mësohet se të premten Prokuroria dorëzon edhe aktakuzën ndaj personave të dyshuar.
Pasditen e 26 nëntorit të vitit 2021, në Gllogjan janë vrarë tre persona e një është plagosur pas të shtënave me armë në drejtim të një autobusi, i cili po bartte nxënës nga Gjakova për në Gllogjan.
Autobusi ishte zënë në pritë siç thuhet nga një person, i cili kishte shtënë me kallashnikov në drejtim të automjetit. Të vdekur mbetën shoferi i autobusit, dhe dy nxënës të moshave 17 e 18-vjeçare.