Kanë dalë pamjet nga momenti kur 23-vjeçari Azgan Mërnica, i cili vrau me armë zjarri efektivin e “Shqiponjave”, 28-vjeçarin Novruz Cenaliaj, është vetëdorëzuar në Polici.
Nga pamjet Mërnica shfaqet i qeshur teksa familjarët e marrin me një automjet “Audi” për t’ia dorëzuar Policisë pas disa minutash.
Po ashtu, nga pamjet duket se një grua i thotë Azgan Mërnicës teksa ai po futej në makinë ‘Zoti para’.
Ishin pikërisht negociatat e RENEA me familjen e autorit dhe ultimatumi i vendosur nga njësia speciale pas lokalizimit të tij në një banesë në fshatin Dërmenas që bënë të mundur daljen e Mërnicës nga vendi ku fshihej prej mesditës të së hënës.
28-vjeçari Novruz Cenalia u vra me një plumb në kokë më 13 maj 2024 në fshatin Baltëz të Fierit. Ai ishte nisur për të shkuar në punë, por u përfshi në një debat me Azgan Mërnicën, 23 vjeç, për radhën e kalimit me makinë.
Në këtë moment, 23-vjeçari i cili ndodhej me nënën në makinë, nxori pistoletën që e mbante me vete dhe me një tek plumb në kokë la të vdekur në vend punonjësin e Policisë së Shtetit.
Më pas ai u largua nga vendi i ngjarjes për t’u vetëdorëzuar këtë mbrëmje edhe pse policia ishte vënë në kërkim të tij prej disa orësh.
Kujtojmë se pak orë më parë, daja dhe halla e 23-vjeçari në një intervistë ekskluzive për Euronews Albania, i bën thirrje nipit që të vetëdorëzohet.
Ndërsa burime bëjnë me dije se vetë babai i autorit të vrasjes ka qenë në kërkim të të birit së bashku me forcat RENEA dhe FNSH.