Vrasja e Liridonës, arrestimi i bashkëshortit dhe dy personave të tjerë – krejt çka dihet deri tash për krimin makabër

Dje është varrosur Liridona Murseli, e cila ishte vrarë tri ditë më parë në kryeqytet.

Pas varrimit, Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në lidhje me ngjarjen e rëndë.

Në mesin e të arrestuarve janë bashkëshorti i saj, Naim Murseli, i cili dyshohet se e ka organizuar vrasjen e të ndjerës, personi me inicialet G.P., që sipas prokurorisë është dorasi dhe i dyshuari K.K., i cili është pjesëtar i FSK-së.

Arrestimet për Klankosova.tv i ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprime intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin”, ka thënë Ahmeti.

Ndërsa, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se policia dje kreu bastisje në dy lokacione në Gjakovë, ku është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në rast.

Pas arrestimit të Naim Murselit, bashkëshortit të Liridonës, babai i tij ka bërë të ditur se e pamja është anuluar.

“Shokë dhe miq për shkaqe familjare me keqardhje e bëjmë anulimin e të pamës. Falënderojmë gjithë për pjesëmarrje në varrim”, shkroi Shaban Murseli në llogarinë e tij në Facebook.

Sipas “Betimit për Drejtësi”, Naim Murseli, përpara hetuesve e ka pranuar se e ka porositur vrasjen e  gruas së tij te i dyshuari G.P., të cilit ia kishte dhënë 15 mijë euro para vrasjes dhe 15 mijë të tjera do t’ia jepte pas kryerjes së veprës. I dyshuari G.P., para prokurores e ka pranuar se është Murseli ai që e ka paguar ta kryejë vrasjen.