Naim Murseli ka thënë se ka qenë në dijeni se Granit Plava ishte personi që shtiu me armë zjarri për të vrarë bashkëshorten e tij Liridona Ademajn, mbrëmjen e 29 nëntorit të vitit të shkuar.
Por, Murseli nuk e ka pohuar të ketë porositur vrasjen e saj, ndonëse e ka pranuar se është takuar me të dyshuarin për vrasje, Granit Plavën, në ditën kritike.
Dëshminë e plotë të Murselit për ngjarjen, dhënë hetuesve policorë më 1 dhjetor, e ka siguruar Paparaci.
Murseli e pranon se në ditën kritike është shoqëruar me Plavën. Thotë se atë ditë ia ka dhuruar Plavës paratë për blerjen e një arme.
“Në ditën kritike unë isha ne Gjakovë për pune personale dhe rastësisht jam takuar me Granitin ku Kushtrimi i ka treguar se ku do te takohemi. Ne jemi takuar në Kramovik në rrugë dhe ai ishte kthyer tek vendi i punës dhe ai ka parkuar automjetin e tij ne atë lokacion tek pompa Eko ku punonte dhe ka vazhduar me mua me veturën time Land Rover me targat 07-669-CM ngjyrë e zezë, ku së bashku jemi nisur në drejtim të restorant Liqeni i Dukagjinit, por gjatë rrugës goma e veturës mu dëmtua dhe vazhduam për ta gjetur një gomister për ta rregulluar gomën, ku në afërsi të Dujakës hasëm në një autolarje dhe mekanik i fshatit i cili na ndihmoi për ta rregulluar gomën”, ka rrëfyer Naim Murseli.
“Personi i cili na ndihmoi e pyeti Granit Plava nëse është i interesuar për armë dhe ai i thotë ‘po vetëm dua ta shoh fillimisht’. Dhe i pëlqeu, por nuk kishte para me vete dhe mi kërkoj mua dhe unë ia dhashë 250 euro aq sa edhe ka kushtuar arma, nga aty pasi u regullua goma më telefonon bashkëshortja dhe më tregon se ka mbërrit në Prishtinë pa dijeninë time. Unë nisem në drejtim të Prishtinës së bashku me Granitin por gjatë rrugës Graniti më kërkoi ta dërgoja në fshatin Kralan ku kishte për të marrë një veturë. Dhe, ndaras kemi vazhduar për në Prishtinë, ku ai me ka ndjekur mbrapa deri në afërsi të shtëpisë time, ku jemi barazuar me vetura dhe më ka thënë se unë tash e di çka bëj”, thotë Murseli.
Derisa rrëfen momentin e vrasjes, ai thotë se ndonëse e ka ditur se vrasësi ishte Granit Plava, nuk e ka besuar “në të vërtetë se Graniti do të marrë veprime për vrasëse”.
“Në afërsi të shtëpisë, Graniti doli i maskuar në rrugë me armë të drejtuar drejt nesh. Edhe pse isha ne dijeni për prezencën e tij unë asnjëherë nuk kam besuar në të vërtetë se Graniti do të marrë veprime për vrasje. I shokuar kam ndaluar, i kam çu duart lart dhe i kam thënë bashkëshortes jepja krejt çfarë të kërkon dhe në një moment unë kam hapur derën time, pastaj derën e fëmijëve duke i thënë edhe bashkëshortes të largohet nga vetura. Në momentin që jemi larguar disa metra, kam dëgjuar një krismë por pa e parë se çfarë ndodhi”, ka thënë ai.
Murseli ka thënë se së fundmi i kishte dal një problem familjar.
“Një problem familjar ku kanë dal në shesh disa SMS-a me një të afërt. Këta SMS-a ia kanë dërguar bashkëshortes sime dhe kjo e ka rënduar tej mase lidhjen tonë martesore. Pas kësaj ngjarje, presioni dhe kontrolla ndaj meje është shtuar ku unë kam kërkuar ndarjen mirëpo kategorikisht bashkëshortja nuk ka pranuar dhe në një ndejë në Malmo të Suedisë, bashkëshortja më ishte hakmarrë duke më tradhtuar me një person të huaj aty”, ka thënë ai para hetuesve.
“Këtë ngjarje unë e kam parë me sytë e mi mirëpo nuk ia kam shprehur në asnjë moment. Kjo ngjarje sigurisht që më ka rënduar dhe ndikuar në raportin tonë. Unë si bashkëshort të gjitha kushtet ia kam plotësuar dhe kam dashur që ajo të jetë e lumtur”.
Plava: Naim Murseli më ka thënë se do t’i marrësh 30 mijë euro nëse e vrasim Liridona Ademajn
Granit Plava ka thënë se Naim Murseli e ka porositur atë për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj.
Në dëshminë e dhënë para hetuesve policorë më 1 dhjetor 2023, Plava ka deklaruar se Murseli ia ka ofruar 30 mijë euro për vrasjen e Ademajt.
Biseda mes tyre ka ndodhur rreth një javë para se të kryhej vrasja në një pompë të derivateve në Gremnik të Klinës. Në tavolinë me ta ndodhej edhe Kushtrim Kokalla, i dyshuari tjetër për përfshirje në vrasjen e 30-vjeçares.
Paparaci e ka siguruar dëshminë e plotë të Plavës dhënë hetuesve policorë.
“Gjatë bisedës në prezencë të të treve, Naimi më ka thënë se do t’i marrësh 30,000.00 euro pasi ta vrasim këtë grua. Në këtë ditë është përmend edhe kallashi për ta ekzekutuar këtë grua, por nuk kam pranuar. Pak para se të largohem m’i ka dhënë dhe 400 euro, dhe Kushtrimit ia ka dhënë një shumë tjetër dhe jemi marrë vesh që të kryhet kjo punë”, ka thënë Plava. “Po ashtu, Naimi na ka thënë se ‘unë kam me shku në Shqipni dhe të kryhet kjo punë sa unë jam atje’”.
Plava ka dëshmuar se Murseli e ka telefonuar në ditën e vrasjes së Ademajt dhe i ka kërkuar “që të kryhet kjo punë”.
“Në ditën e vrasjes më ka thirrur në Whatsapp dhe më ka thënë se sot duhet të kryhet kjo punë, duke më thënë se ti e di se ‘kam pare unë, nëse ndodh diçka unë do të të nxjerr’. Më ka marrë me veturën e tij Range Rover rreth orës 12:00 ku kemi bërë gjiro tek Liqeni i Radoniqit. Aty është prishë goma e veturës dhe kemi shkuar në fshatin Novosellë e Epërme ku aty pronari i një vullkanizeri pasi e kemi rregulluar gomën, Naimi ka thënë se e mora këtë armë nga pronari i këtij vullkanizeri”, ka dëshmuar Plava.
Plava ka thënë se në momentin e vrasjes së Liridona Ademajt, në veturë ka qenë edhe Naim Murseli.
“Unë nuk i kam vërejt fëmijët, ndërsa Naimi ka qenë në veturë në momentin e vrasjes”, ka thënë ai.