Vrasja e Klodian Rashës, jep dorëheqje Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj

Në mesazhin e tij mbi vrasjen e Klodian Rashës, kryeministri shqiptar Edi Rama u shpreh se Ministri i Punëve të Brendshme Sandër Lleshaj i kishte vënë në dispozicion dorëheqjen.

Rama theksoi se e vlerëson atë për sensin qytetar, ndërsa e distancoi nga ngjarja.

“[Sandër] Lleshaj më vuri në dispozicion dorëheqjen e tij menjëherë pas ngjarjes. I thashë të më presë të kthehem. Jemi takuar edhe sot dhe jam shumë krenar për sensin e përgjegjësisë qytetare të Sandër Lleshajt. Por, në këtë vend nuk janë të gjithë njësoj. Ai nuk ka asnjë lidhje me aktin e rëndë të vrasjes së një djali 25 vjeçar”.

Lajmi i dorëheqjes së Lleshajt është konfirmuar edhe nga kryeministria. Burime nga mazhoranca bëjnë me dije se vendin e Sandër Lleshajt pritet ta zë një nga zëvendësministrat aktualë./ A2 CNN