Është iniciuar procedurë disiplinore ndaj prokurores S.K., lidhur me trajtimin e rastit të viktimës L.Q., nga Llausha e Skenderajt, e cila dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, inicimi vjen pas kërkesës së kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë, njofton opinionin publik se pas kërkesës së Kryeprokurorit të Shtetit Aleksandër Lumezi, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë Ismet Ujkani, pas analizimit të gjitha shkresave të lëndës dhe konform Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, sipas detyrës zyrtare, ka iniciuar procedurën disiplinore ndaj prokurores S.K., lidhur me rastin e viktimës L.Q., nga Llausha e Skenderajt”, thuhet në komunikatë.
Viktima thuhet se disa ditë më herët e kishte raportuar në Polici rastin e dhunës në familje, mirëpo i dyshuari ishte lënë i lirë me vendim të prokurores.
Viktima L.Q., 48-vjeçare, dyshohet se të pasditen e së mërkurës është vrarë nga bashkëshorti i saj. I njëjti thuhet se veprën e ka kryer me armë zjarri. Viktima ishte dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, ku si pasojë e plagëve ka humbur jetën.
I dyshuari S.Q. është arrestuar dhe të njëjtit i është konfiskuar një pistoletë me tre fishek. Në vend të ngjarjes janë gjetur e sekuestruar gjashtë gëzhoja.