Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në qytetin e Mitrovicës.
Pas një përleshje me armë në rrugën “Bislim Bajgora”, mbrëmë në Mitrovicë mbeti i vdekur një 23 vjeçar dhe u plagosën dy persona të tjerë, shkruan lajmi.net.
Lajmin për mediat e konfirmoi mbrëmë edhe Avni Zahiti nga policia e Kosovës për rajonin e Mitrovicës.
“Rreth orës 22:20, policia ka marrë informacion për të shtëna me arme zjarri në rrugën ‘Bislim Bajgora’ në Mitrovicë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes. Bazuar në të dhënat fillestare, nga arma e zjarrit janë plagosur tre persona, si pasojë njëri nga te plagosurit i moshës 23 vjeçare ka vdekur, vdekjen e të cilit e ka konstatuar mjeku, ndërsa dy të plagosurit tjerë janë dërguar në QKUK për trajtim te mëtejmë mjekësor”.
Në anën tjetër, mbrëmë mediet kanë zbuluar edhe identitetin e viktimës së mbrëmshme.
Bëhet fjalë për M.K, 23 vjeçar i cili sipas raportimeve u vra “aksidentalisht” në vendin e punës pasi cak i sulmit me armë ishte pronari i një picerie në atë pjesë të Mitrovicës.
Në përleshjen me armë që ndodhi në rrugën “Bislim Bajgora”, u plagosën edhe dy persona të tjerë. Ata janë duke u trajtuar në QKUK.
E në anën tjetër, ende asnjë person nuk është arrestuar lidhur me rastin e vrasjes në Mitrovicë.
Raportohet se i dyshuari kryesor për vrasjen e M.K është një person me inicialet V.S por që ende nuk është arrestuar.
Sipas raportimit në media, ai dhe vellai i tij janë ende në arrati.