Një ngjarje tragjike ka tronditur mbrëmë qytetin e Vushtrrisë, ku i riu 19 vjeçar A.Z u vra me armë zjarri.
Sipas policisë ngjarja ka ndodhur rrugën “Galip Badivuku” në Vushtrri rreth orës 20:35.
Viktima është qëlluar për vdekje nga një person i dyshuar, B.D., gjithashtu 19 vjeç.
“Rreth orës 20:35 policia ka pranuar informatën për të shtëna nga arma e zjarrit, ngjarja ka ndodhur në rrugën “Galip Badivuku” në Vushtrri. Nga hetimet fillestare bëhet e ditur se si pasojë e plagëve të pësuara nga arma e zjarrit ka humbur jetën viktima mashkull/ kosovar rreth 19 vjeçar”, ka deklaruar mbrëmë për Telegrafin zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
Viktima është dërguar në Spitalin e Vushtrrisë, ku nga ekipi mjekësor është konfirmuar se viktima ishte pa shenja jete.
Pas incidentit, policia ka nisur hetimet dhe ka arritur të arrestojë të dyshuarin, ndërsa gjatë një bastisjeje në shtëpinë e tij ka konfiskuar një pistoletë dhe një armë të gjatë.
Pas arrestimit të të dyshuarit, prokurori i ka caktuar atij masën e ndalimit policor.
Në vendngjarje, hetuesit kanë sekuestruar tre gëzhoja si prova materiale.
Ende nuk është bërë e qartë nëse ky incident ka lidhje me ndonjë konflikt të mëparshëm mes viktimës dhe autorit, apo nëse ka pasur ndonjë motiv tjetër.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes po vazhdojnë në koordinim me Prokurorinë e rastit.