Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka dhënë urdhër që të rinumërohen votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës në të gjitha qendrat e vendvotimeve në komunën e Vushtrrisë.
Zëdhënësi i Prokurorisë, Valon Preteni, e ka konfirmuar për KOHËN, duke thënë se kanë pranuar ankesë nga një kandidate për deputete.
“Do të bëhet rinumërimi dhe varësisht nga rezultatet do të veprohet. Ka pasur ankesë prej një kandidateje për deputete”, ka thënë Preteni.
KOHA ka dërguar pyetje në KQZ për këtë çështje, por s’ka pranuar përgjigje deri në momentin e raportimit.
Aktualisht është duke u bërë numërimi i votave me kusht.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), nga numërimi i 44 vendvotimeve nga 56 në total, Lëvizja Vetëvendosje është e para me 2.634 vota apo 40.21 për qind, pasuar nga Partia Demokratike me 1186 vota apo 18.11 për qind, Lidhja Demokratike me 887 vota apo 13.54 për qind.
Koalicioni AAK-Nisma aktualisht ka 407 vota apo 6.21 për qind.