Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi të mërkurën në Prishtinë se është shumë e shqetësuar me krizën në veri të Kosovës dhe se sipas saj gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ndodhë përmes dialogut në Bruksel.
“Është shumë më rendësi që ne të ecim tutje përpara në rrugën evropiane. Ka rëndësi jetike që të bëhet normalizimi i mes Kosovës dhe Serbisë”, theksoi von der Leyen gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Që prej 20 shtatorit, kur Qeveria e Kosovës vendosi reciprocitetin për targat nga Serbia, serbët lokalë kanë bllokuar dy rrugë që çojnë në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.
Zgjidhja e vetme e krizës aktuale që po mbizotëron në veri të Kosovës, sipas von der Leyen, është tryeza e bisedimeve në Bruksel.
“Më duhet të them që jam shumë e shqetësuar me krizën aktuale. Është shumë me rëndësi që të shtensionohet situata, të kthehemi në tryezën e bisedimeve për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme. E vetmja mënyra sesi mund të bëhet kjo është përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, që është platforma e vetme e zgjidhjes së krizës aktuale”, deklaroi von der Leyen.
Von der Leyen tha se do të vazhdojë te jetë në kontakt me Qeverinë e Kosovës, sepse sipas saj, ajo dëshiron që të shohë Kosovën të shënojë përparim.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e akuzoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili sipas tij bëri deklarata luftënxitëse që rezultuan me djegien e dy qendrave të regjistrimit të automjeteve në veri të vendit më 25 shtator.
“Kam kërkuar që të dënohen sulmet në Zubin Potok dhe Jarinjë, pasi janë sulmuar institucionet e Kosovës dhe ky sulm erdhi pas deklaratave luftënxitëse e plot urrejtje të presidentit të Serbisë dhe pas demonstrimeve ushtarake me tanke e helikopterë Mig në kufi me Kosovën”, deklaroi Kurti.
Kurti tha po ashtu se se Serbia në njërën anë merr donacione nga Bashkimi Evropian e në anën tjetër armatoset me armë nga Rusia dhe Kina.
“Fatkeqësisht jemi në një situatë në të cilën në njërën anë merren ndihma e donacione nga Bashkimi Evropian, e në anën tjetër Serbia, përkundër që i merr këto fonde pa zbatuar vlera, do të duhej që të demokratizohet e jo të militarizohet nga Rusia dhe Kina”, deklaroi Kurti.
Lidhur me situatën në veri, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e BE-së, të mërkurën po takohen në Bruksel.
Palët po ashtu kanë zhvilluar bisedime edhe me të dërguarin e Departamentit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, i cili u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin menjëherë tensionet.