Raportuesja e Parlamentit Europian për Kosovën, eurodeputetja Viola von Cramon-Taubadel, i ka reaguar të përzgjedhurit special nga Shtëpia e Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenellit, pasi ky i fundit e mbështeti një postim të Presidentit Hashim Thaçi në Twitter, ku theksonte se javën tjetër ai do t’i ndërmarrë hapat kushtetues për formimin e Qeverisë së re.
Grenell në llogarinë e tij ka shkruar se pasi të bien tarifat dhe masa e reciprocitetit, menjëherë do të fillojë procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Mirëpo kjo ka nxitur reagimin e Raportueses së PE-së Von Cramon, e cila ka thënë se ndoshta Grenell nuk është në dijeni, por tarifat prej 100 për-qind tashmë janë të hequra nga Qeveria në detyrë në krye me Albin Kurtin.
“Ndoshta gjë e re për të, por tarifat janë hequr nga Qeveria në detyrë dhe Kryeministri i saj Albin Kurti”.
“Nëse dikush është i interesuar të udhëheqë një dialog, ai/ajo mund të fillojë me Qeverinë e Kosovës në çdo kohë. Nuk ka nevojë ta rrëzosh atë në një krizë pandemike”.