Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku me nostalgji e ka kujtuar ish-kryetarin e Mitrovicës dhe ish-kryeministrin e parë të Kosovës, Bajram Rexhepin.
Ajo përmes një postimi në Facebook, ku ka publikuar një fotografi me Rexhepin ka thënë se do ta kujtojë përjetë.
“Bajram Rexhepi, përjetë kam me të kujtu!“, ka shkruar ish-ambasadorja Çitaku.
Në prill të 2017, ish-kryeministri u shtrua në QKUK për shkak të një sulmi shëndetësor në organet vitale, ndërsa më pas është dërguar në Turqi për shërim jashtë vendit.
Pas një beteje prej pesë muajsh me sëmundjen, Rexhepi ndërroi jetë më 21 gusht 2017 duke lënë pas vetes bashkëshorten dhe vajzën.
Gjatë luftës së Kosovës më 1999, Rexhepi u bashkua me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe kaloi tre muaj duke shërbyer si mjek në terren. Ai shërbeu si kryetar i Mitrovicës jugore, duke punuar me paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara dhe NATO-s për të zvogëluar trazirat civile.
Më 4 mars të vitit 2002, pas tre muaj bisedimesh dhe me ndërmjetësimin e shefit të atëhershëm të UNMIK-ut Michael Steiner, Kuvendi i Kosovës zgjodhi Bajram Rexhepin si kryeministrin e parë të Kosovës së pasluftës.