“Tek çështja e integritetit, dua të jem edhe më i drejtpërdrejtë. Mendoj dhe nuk do të tolerojmë që të ketë anëtarë të qeverisë me njerëz me aktakuza të ngritura e as në dikasteret e tjera ekzekutive”, kishte deklaruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Kjo deklaratë e tij, një ditë para se ta kërkojë emrin e kandidatit të LDK-së për kryeministër, po cilësohet tentim për të kontrolluar ekzekutivin.
Juristi Ehat Miftaraj thotë se presidenti nuk ka kompetenca e as mandat që të japë urdhra se si do të duket qeveria e re, raporton KOHA.
Miftaraj konsideron se presidenti Thaçi me këtë dëshiron autoritet e kontroll mbi qeverinë.
Analisti Arton Demhasaj thotë se presidenti Thaçi po kërkon vëmendje publike, duke tentuar që të ketë ndikim edhe në institucionet e tjera.
Demhasaj nuk e përjashton mundësinë e bashkëpunimit Thaçi-LDK për të rrëzuar Qeverinë Kurti.
Koalicioni LDK-AAK-Nisma dhe minoritetet mëton të formojë Qeverinë e re me Avdullah Hotin kryeministër.
Por dekreti që ia mundëson këtë është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Vetëvendosje, që udhëheq me qeverinë në detyrë.
Dekreti i presidentit i publikuar më 30 prill është pezulluar nga Kushtetuesja deri më 29 maj.