Vlera e madhe e tri medaljeve të Kosovës në Paris

Shumë gjëra kanë të përbashkëta Nora Gjakova, Akil Gjakova e Distria Krasniqi. Ushtrojnë së bashku nën urdhrat e kryemjeshtrit Driton Kuka, ndajnë të njëjtën sallë për stërvitje, janë nga një lagje dhe të tre kanë suksese kulmore në xhudo. Të tre edhe fituan medalje të shtunën në Grand Slamin e Parisit, garën më prestigjioze të xhudos, pa llogaritur këtu Kampionatet Botërore, Evropiane dhe Lojërat Olimpike.

Por rruga e tyre deri në podium thuajse nuk kishte asnjë të përbashkët. Për të tre ishte gara e parë individuale që nga Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Në Lojërat Olimpike të vitit të kaluar, Distria fitoi medalje të argjendtë, Akili u rendit i pesti, ndërsa Nora ishte e lënduar dhe u ndal në luftën e parë.
Në Grand Slam, të shtunën, Akili fitoi medalje të argjendtë kurse Distria e Nora të bronzta. Nuk fituan medalje ari, por megjithatë suksesi i tyre ka vlerë të madhe.

Distria ishte bartëse e parë në kategorinë deri 52 kg. Pa telashe i kaloi dy pengesat e para dhe arriti në gjysmëfinale. Luftën kryesore megjithatë e humbi nga japonezja Kisumi Omori, që më pas fitoi të artën. Për medalje të bronztë, ashtu si pritej, shënoi fitore. Por nuk mbeti e kënaqur me vendin tretë në arenën “Bercy”, ku ishin të mbledhur afro 15 mijë shikues. 

Ajo ka synuar të artën, ndërsa tani ka një fitore e dy humbje me japonezen Omori.

“Edhe medalja e bronztë në Grand Slam të Parisit ka vlerë shumë të madhe”, thotë kryemjeshtri Driton Kuka.

Nxënësit e tij fitojnë rregullisht medalje në garat më të mëdha të xhudos. 

Nora Gjakova gjithë karrierën ka garuar në kategorinë deri 57 kilogramë. Në Paris të shtunën garoi në kategorinë deri 63 kilogramë. Nuk arriti peshën për kategorinë e saj dhe provoi në kategorinë me peshë më të madhe.

“Vendimi i Gjakovës për të garuar në kategori të re nuk ishte i gabuar”, ka shkruar Federata Ndërkombëtare e Xhudos.

Lëvizja megjithatë është e përkohshme, vetëm për këtë garën. Pa rangim në kategorinë deri 63 kg, Nora nuk ishte fare bartëse. Por në fund fitoi të bronztën. 

Në luftën e parë kaloi franceze, në të dytën kroaten Iva  Oberan, që ishte bartëse e tretë, ndërsa në çerekfinale u ndal nga japonezja Megu Danno. Nora më pas rreshtoi edhe dy fitore në repesazh dhe zuri vend në podium. Japonezja Danno mbeti pa medalje. Në luftën e fundit Nora e mposhti bartësen e parë, holandezen Joanne Van Lieshout. Ajo është kampione në fuqi e botës. 

“Nora ishte shumë dominante në përballje me garueset më të mira në botë të kategorisë deri 63 kilogramë. E dominoi kampionen e botës. Ajo nuk kishte asnjë hyrje gjithë luftën”, thotë trajneri Kuka.
Ai më së shumti e vlerëson të argjendtën e Akil Gjakovës. Për Akilin ishte medalja e tretë në Paris, e para e argjendtë. Grand Slamin e Parisit e fitoi në vitin 2018, ndërsa vjet ishte i treti. 

Akili ishte bartësi i katërt. Kaloi japonez në luftën e dytë. Çdo fitore ndaj japonezëve në gara të xhudos ka vlerë të madhe. Më pas e mposhti Rashid Mammadaliyevin e Azerbajxhanit, që ishte bartësi i pestë. Në gjysmëfinale e mposhti bartësin e parë, italianin Manuel Lombardo. Ndaj tij tani ka katër fitore e një humbje. E mposhti edhe vjet në Lojëra Olimpike. Dhe në fund, në finale, u ndal në luftën ndaj Shakhram Ahadovit të Uzbekistanit. Ahadovi fitoi vetëm me dënime, në kohën shtesë. Lufta ishte e barabartë, e fortë, taktike por pa hedhje e aksione të bukura, që Akili i kishte në të gjitha luftërat e tjera. 

Me Ahadovin, Akili tani i ka katër humbje. Nuk ka asnjë fitore ndaj tij.

“Ishte ditë e mirë për Akilin. Bëri spektakël. Por në finale disi u ndal. Nuk funksionoi.  Në përgjithësi kishte paraqitje shumë të mirë. Ka mposhtur me hedhje të bukura top-xhudistë të kategorisë. Dihet që kategoria deri 73 kg ka konkurrencë të çmendur”, ka shtuar trajneri Kuka.

Dardan Cena e Erza Muminoviq u ndalën herët. 

Por ekipi elitar i Kosovës në xhudo nuk ka kohë për të pushuar. Menjëherë më 14 janar fillon Grand Slami në Baku. Distria, Erza dhe Laura Fazliu pritet të garojnë në kryeqendrën e Azerbajxhanit. Laura pushoi nga gara në Paris për shkak të lëndimit. Pra Kosova ishte pa një prej adutëve kryesorë. Por sërish i fitoi tri medalje. 

Pos që sollën pikë të shumta, 700 për Akilin e nga 500 për Distrinë e Norën, dhe që mundësuan vazhdimin e serisë së garave të suksesshme, medaljet e Parisit janë me vlerë edhe për nismë të mbarë të vitit dhe po ashtu të ciklit të ri olimpik.  Suksesi në LA 2028 është synimi madhor i largët thuajse për të gjithë në ekipin e Kosovës në xhudo.