Vjosa Osmani: Fati i Ukshin Hotit është pengu i shoqërisë dhe shtetit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar intelektualin Ukshin Hoti në 22 vjetorin e zhdukjes së tij, duke thënë se prej 16 majit të vitit 1999 kur ai u lirua nga Burgu i Dubravës, nuk dihet asgjë më për fatin e tij.

Osmani thotë se kujtimi për Hotin është i çdovitshëm dhe se ai vazhdon të mbetet në listat e të pagjeturve të cilët janë rrëmbyer dhunshëm nga regjimi gjenocidal serb.

“Fati i Ukshin Hotit është pengu i shoqërisë dhe shtetit tonë, ndaj përpjekja këmbëngulëse për zbardhjen e fatit të tij nuk duhet të pushojë asnjë ditë”.

“Me një vepër të bukur politike mund të shpëtohet një popull, thoshte Ukshin Hoti. Ai e nisi idenë e “veprës së bukur politike”, për lirinë, republikën dhe demokracinë, porse synimi i mendimtarit politik e filozofik mbeti në gjysmë”.

Osmani ka thënë se Republika e Ukshin Hotit është bërë, ndërsa dy dekada në kërkim të tij, Republikës i duhet Ukshin Hoti.

“Çështja e zbardhjes së fatit të të pagjeturve, të cilët u zhdukën dhunshëm nga regjimi serb, është prioritet i yni dhe parakusht për paqe të qëndrueshme në rajon”, ka shkruar Osmani në llogarinë e saj në Facebook.