Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes politike kanë shkuar bashkë në Reçak, në 22 vjetorin e masakrës.
Ata kanë bërë homazhe tek varrezat dhe lapidari i viktimave nga kjo masakër, shkruan lajmi.net.
U.D e presidentit, Vjosa Osmani tha se dëshmitë e gjenocidit serb mund të gjenden gjithku në Kosovë, andaj sipas saj duhet të kërkojmë që bota t’i kthejë sytë nga këto dëshmi.
Ajo tha se Serbia udhëhoqi luftën me mendje gjenocidale, dhe se sipas saj një filozofi e tillë mbizotëron ende atje.
Teksa lideri i VV-së, Albin Kurti tha se kjo ngjarje e para 22 viteve pati alarmuar dhe ndërgjegjësuar edhe opinionin ndërkombëtar.
Ai tha se ishte pikërisht masakra sikur kjo, ajo që vuri në lëvizje fuqinë më të madhe ushtarake ndonjëherë, NATO-n.
“Jo vetëm urdhër-dhënësit por edhe ekzekutorët dihen edhe me emra”, tha Kurti teksa shtoi se drejtësia ndërkombëtare duhet ta kryejë punën e vet në këtë aspekt.