Vjedhja më e madhe ndonjëherë në kriptovaluta, hakerët “zhdukin” 1.5 miliard dollarë

Kompania e kriptovalutave, Bybit, ka deklaruar se hakerët kanë vjedhur më shumë se 1.5 miliard dollarë në vlerë të monedhës digjitale në atë që mund të jetë vjedhja më e madhe e kriptove në histori, raporton “BBC”.

Kompania me seli në Dubai u ka thënë përdoruesve se paratë e tyre janë “të sigurta” dhe do të rimbursojnë të gjithë ata që janë prekur nga vjedhja.

Hakerët kanë vjedhur nga monedha digjitale Ethereum, e cila është kriptovaluta e dytë më e madhe për nga vlera pas Bitcoinit.

Themeluesi i Bybit, Ben Zhou, ka deklaruar se rimbursimi i klientëve mund të mbulohet nga kompania ose përmes marrjes së borxhit te partnerët. Bybit ka 20 miliardë dollarë asete.

Bybit ka deklaruar se hakerët kanë shfrytëzuar dobësitë e sigurisë, dhe kanë transferuar paratë në një adresë të paidentifikuar.

Pas vjedhjes, vlera e Ethereumit ka rënë 4 për qind të premten në 2.641 dollarë për monedhë.

Rekordi për vjedhjen më të madhe në kriptovaluta deri tash mbahej nga Ronin Network, që në vitin 2022 vodhi Ethereum dhe USD Coin me vlerë 620 milionë dollarë.

Bybit është themeluar në vitin 2018. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe ish-shefi i Paypalit, Peter Thiel, kanë qenë ndër investuesit e parë.

Bybiti ka 60 milionë përdorues në të gjithë botën dhe ofron qasje në shumë lloje të kriptovalutave.

Kompania përmes një postimi në X ka deklaruar se ka raportuar çështjen tek autoritetet dhe që po punonte shpejt për të identifikuar hakerët.