“Vjedhja e vitit”: Si u zhdukën 2 milionë euro nga Thesari i Shtetit

Të premten e dytë të tetorit, brenda disa orësh, janë zhdukur 2 milionë e 77 mijë euro nga Thesari i Shtetit. Dyshimet e para janë se vjedhja është kryer përmes sistemit elektronik për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin (SMFK). Janë bërë 4 pagesa në emër të tri projekteve rrugore. 2 milionë e 77 mijë euro nga Thesari i Shtetit janë transferuar në xhirollogarinë e kompanisë me emrin “LDA Group”. Transferet janë bërë në emër të tri projekteve: rruga Zhur – Dragash, rruga Prizren-Prevallë dhe Prishtinë- Mitrovicë.

Ndërmarrja e dyshuar kriminale që zhduku 2 milionë e 77 mijë euro, nga të dhënat e siguruara nga KOHA, ka përfunduar në orën 12 :41 minuta, më 9 tetor 2020, në kohën kur zyrtarët e administratës e kanë orën e pauzës së drekës.

Labinot Gruda, zyrtar financiar tash e 11 vjet në Departamentin e Thesarit, nga fshati Komoran i Drenasit, është arrestuar të martën. Ai besohet se ishte i afërt me PDK-në dhe ka qenë drejtor në Komunën e Drenasit, gjatë qeverisjes së Ramiz Lladrovcit, por për arsye personale ka dhënë dorëheqje. Edhe PDK-ja, edhe Lladrovci e kanë mohuar se ai ka qenë anëtar i PDK-së.

Policia ende nuk e di vendndodhjen e pronarëve të kompanisë “LDA Group”, Kamer e Valon Shala, të cilët po ashtu janë nga një fshat i Komunës së Drenasit.

KOHA ka mësuar, po ashtu, se një anëtare e kabinetit qeveritar është vajza e pronarit të kompanisë ku kanë përfunduar paratë. Sipas burimeve, këshilltarja e zëvendëskryeministres Albulena Balaj-Halimi, e cila njëkohësisht ishte edhe kandidate për deputete e NISMA-s, është vajza e Kadri Shalës, që për momentin është në arrati.

Gazeta ka provuar të marrë përgjigje nga NISMA dhe Qeveria e Kosovës për këtë çështje, por ata nuk janë deklaruar.

Në sistemin përmes së cilës janë vjedhur paratë, qasje kanë vetëm zyrtarët financiarë. Por në bazë të rrjedhës së transferit nga buxheti i shtetit në llogari private, del se siguria në këtë sistem është e cenueshme.

Kompania “LDA Group” nuk ka pasur asnjëherë kontratë me Ministrinë e Infrastrukturës. Paratë janë tërhequr nga linja buxhetore e kësaj ministrie.

Në sistem kanë qasje vetëm zyrtarët e autorizuar. Ata regjistrohen si përdorues. Regjistrimi bëhet në emrin e zyrtarit, ndërsa në fjalëkalim ka qasje vetëm individi që e shfrytëzon llogarinë.

Hasan Krasniqi është emri i një përdoruesi, i cili në sistemin elektronik ku menaxhohen paratë e krejt buxhetit të shtetit, e ka regjistruar kompaninë “LDA Group”, si furnitorë të Ministrisë së Infrastrukturës.

Në këtë ministri nuk ka asnjë zyrtar të punësuar me këtë emër. Ende nuk dihet se kush e ka hapur këtë llogari për kyçje në sistem.