Dy vdekjet e dyshimta të regjistruara në 24 orët e fundit në Komunën e Deçanit nuk kanë lidhje me helmimet e fundit që kanë ndodhur në këtë rajon, ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Vitia pas vizitës në QKMF-në e Deçanit ka deklaruar se me kryetarin e komunës, Bashkim Ramosaj dhe drejtorin e Drejtorisë së Shëndetësisë kanë hartuar një listë barnash që do të trajtohet me prioritet.
“Raportet e para që i kemi marrë të dielën kanë qenë shqetësues. Pa asnjë rast fatal deri më tani, dy rastet e vdekjes që i referoheni s’kanë të bëjnë me rastet që po flasim”, ka shtuar ai.
Në anën tjetër, Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, ka thënë se asnjë pistë e hetimeve nuk çon që helmimi ka ndodhur nga uji.
“Megjithatë kjo s’do të thotë që s’mund të ketë infeksione hidrike, por do të dalim me analiza përmanente, nga analizat e pacientëve. Pistat e hetimit që flasin për dyshime të infeksionit hidrik janë në hetim e sipër. Kualiteti i ujit po monitorohet”, ka thënë Ramadani.
“Edhe si Komunë u kemi dalë në ndihmë qytetarëve, kam ftuar institucionet ku kam pasur takime. Çdo pjesë është në proces të hetimeve. Është në interes të zbardhet çdo rast”, ka deklaruar kryetari Ramosaj.