Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), për Prishtinën, Arben Vitia, ka folur për zgjedhjet lokalë të së dielës, dhe rezultatin zgjedhor.
Në një shkrim në Facebook, Vitia ka thënë se procesi i raundit të parë të zgjedhjeve lokale, ishte demokratik e i menaxhuar mirë.
Ai ka falënderuar të gjithë qytetarët për kulturën e lartë në këtë proces zgjedhor demokratik dhe mbështetjen e tyre të fuqishme.
“Falënderim i përzemërt edhe për të gjithë komisionerët dhe vëzhguesit që dje ishin në ballë të këtij procesi duke u kujdesur që vullneti i secilit qytetar të shkojë në adresën e duhur”, tha Vitia.
Ish-ministri i Shëndetësisë, shtoi se Prishtina mbrëmë e ka vlerësuar planin e LVV-së për kryeqytetin.
“….duke na vendosur në avantazh në këtë garë. Ne jemi të gatshëm dhe do të jemi në ballë të sfidës së re të vendosur nga qytetarët”, u shpreh ai.
Pas balotazhit, Vitia theksoi se në katër javë do të shkojë në çdo lagje e fshat të qytetit për të paraqitur planet e Lëvizjes për kryeqytetin.
“Do të paraqesim ëndrrën tonë për Prishtinën”.
“Të dashur aktivistë e vullnetarë të kësaj fushate, do të takohemi pa humbur kohë. Së bashku do të trokasim në çdo derë të qytetarëve tanë e bashkë do të flasim për alternativën tonë. Me këtë frymë do ta sjellim ndryshimin e do ta sigurojmë fitoren tonë të re, e cila do të jetë e secilit prej nesh”, shkroi në fund.