Visar Ymeri: Takimi i 4 prillit të prodhojë orar të qartë të zbatimit të marrëveshjes bazë

Më 18 mars të këtij viti kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq u takuan në Ohër.

Ata aty arritën një dakordim për zbatimin e marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga BE-ja.

Pala kosovarë ishte e gatshme të nënshkruaj këtë marrëveshje, por sipas kryeministrit Kurti një gjë të tillë nuk e pranoi pala serbe.

Por, pavarësisht kësaj që të dyja palët ranë dakord që zbatimi i saj të fillojë sa më shpejt.

E, vetëm pas 16 ditësh Kosova e Serbia do të takohen përsëri, por tashmë në Bruksel.

Takimi do të mbahet në nivel të kryenegociatorëve.

Për takimin që do të mbahet më 4 prill në mes Besnik Bislimit dhe Petar Petkoqviq, dhe atë se çka pritet të ndodhë në këtë takim për Front Online ka folur, drejtori ekzekutiv i Institutit për politika sociale “Musine Kokalari”, Visar Ymeri.

Ai, ka thënë se ky takim duhet ta prodhojë një orar të qartë të zbatimit të marrëveshjes bazë.

“Takimet e fundit e veçanërisht ai në Ohër dhe dakordimi për aneksin i japin një dinamikë të re dialogut. Takimi i së martës në Bruksel duhet ta prodhojë një orar të qartë të zbatimit të Marrëveshjes Bazë. Suksesi i këtij dhe takimeve të tilla do të varet shumë nga trysnia që do të ushtrohet mbi palët. Pra dinamika e re e dialogut duket se do të jetë ajo që përcaktohet nga ndërmjetësuesi dhe gadishmëria e BE-së dhe ShBA-së që ta vazhdojnë dialogun përmes mekanizmit “mere ose lëre”. Qartazi Kosova dhe Serbia nuk e kanë as gadishmërinë dhe as aftësinë që të merren vesh vet për çfarëdo që diskutohet”, është shprehur Ymeri për Front Online.

Sipas tij nëse ekziston plani që zbatimi i marrëveshje të kryhet deri në fund të vitit, atëherë do të ketë takime të shumta.

“Unë pres që do të ketë më shumë takime e me intensitet të shtuar. Nëse ka plan që i tërë zbatimi i marrëveshjes të kryhet deri në fund të vitit që është shprehur në mënyrë implicite si synim atëherë ky vit do të jetë vit i takimeve të shumtë e të shpeshta bashkë me dramat përcjellëse”, ka thënë Ymeri (Front Online).