Vinicius humbet edhe financiarisht

Përpos aspektit individual, Vinicius Junior, humbi jo pak edhe financiarisht nga dështimi për të fituar “Topin e Artë”. Sulmuesi i Real Madrid u pozicionua vetëm i dyti në renditjen e “France Football”, duke lënë shije të hidhur. 24-vjeçari humbi bonusin prej 1 milion euro vendosur në klauzolën e fundit me Real Madrid.

Vinicius shihej si favorit për të fituar “Topin e Artë” të vitit 2024, pasi kontributi i tij ndihmoi skuadrën spanjolle për të fituar La Ligën dhe Champions League. Ai shënoi gjashtë gola dhe katër asistime në dhjetë ndeshjet në Ligën e Kampionëve dhe regjistroi 20 gola në 26 ndeshje të La Liga.

Në rast të një suksesi, Vinicius do të bëhej braziliani i parë që prej vitit 2007 i cili do triumfonte në garën më prestigjoze individuale në futboll. 24-vjeçari mbeti pas Rodri në votim, teksa u rendit më mirë se shokët e skuadrës, Dani Karvahal dhe Jude Bellingham.