Vietnami ka regjistruar temperaturën e saj rekorde. Në Vietnam është regjistruar të dielën temperaturë 44.1 gradë Celsius, raporton BBC.
Ekspertët parashikojnë se së shpejti do të kalohet ky rekord, për shkak të ndryshimeve klimatike.
Rekordi është vendosur në provincën veriore Thanh Hoa, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar qytetarët që të qëndrojnë në ambient të mbyllur gjatë ditës.
Në shtetet tjera po ashtu po regjistrohen valë të nxehtësisë.
Tajlanda ka regjistruar po ashtu temperaturë rekord, 44.6 gradë Celsius. Është barazuar rekordi i temperaturës që ishte regjistruar ndonjëherë në këtë vend. Temperatura 44.6 gradë është regjistruar në provincën perëndimore Mak.
Ndërkohë në Birmani, në një qytet lindor është regjistruar temperaturë 43.8 gradë Celsius, më e larta për një dekadë.
Në Vietnam, ekspertët thonë se temperaturat janë pasojë e ndryshimeve klimatike.
“Besoj se ky rekord do të përsëritet shumë herë”, thotë eksperti për ndryshime klimatike Nguyen Ngoc Huy.
Rekordi i kaluar i temperaturës në Vietnam ishte në provincën qendrore Ha Tinh katër vjet më parë. U regjistrua temperaturë 43.4 gradë Celsius.
Toka është ngrohur për 1.1 gradë Celsius që kur filloi epoka industriale, ndërsa është thënë se temperaturat do të vazhdojnë të rriten përderisa qeveritë botërore nuk ndalojnë emetimin e gazrave serrë.