Lëvizja Vetëvendosje, ka vendosur që të shtyjë afatin e pranimit të kandidaturave nga Këshillat e qendrave, deri sot në ora 00:00.
Kjo është bërë e ditur për FrontOnline, nga zyrtari për media dhe Komunikim në Lëvizjen Vetëvendosje, Arlind Manxhuka.
E, deri më tani Lëvizja Vetëvendosje nuk ka zyrtarizuar asnjë kandidat për zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen më 17 tetor.
“Në mënyrë që të ketë mundësi shtesë për të gjithë të interesuarit për kandidim dhe për ata që për shkak të rrethanave objektive nuk kanë mundur të dorëzojnë aplikimet e tyre Komisioni Zgjedhor Qendror i LVV-së ka zgjatur afatin për aplikim. Nuk është marrë vendim i veçantë për asnjërën prej komunave por është zgjatur afati për tërë qendrat tona”, ka thënë Manxhuka, për FrontOnline.
Ndërsa i pyetur se kur pritet të zyrtarizohen kandidaturat dhe se a kanë kandiduar kryetarët aktualë edhe për një mandat, Manxhuka ka thënë se nuk mund të jep përgjigje për këtë.
Lëvizja Vetëvendosje, aktualisht është duke udhëhequr me tri komuna, Prizrenni, Mitrovicën Jugore dhe Podujevën.
Ndërsa, në zgjedhjet e fundit lokale ajo fitoi Prishtinën dhe Kamenicën.
Por tani më kryetarët e këtyre dy komunave, Shpend Ahmeti në Prishtinë e Qendron Kastrati në Kamenicë, nuk i përkasin këtij subjekti politik.
Lëvizja Vetëvendsje kishte shpallur zgjehdjet e brendshme më 1 deri më 3 korrik, por këtë afat e ka shtyrë deri sot në orën 00:00.
Subjektet politike kanë 30 ditë kohë për të bërë fushatë zgjedhore.
Sipas afateve të përcaktuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, subjektet politike mund të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje nga data 17 qershor deri më 16 gusht.
Afati për aplikim për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës fillon më 10 korrik dhe zgjat deri më 18 gusht, gjithsej 40 ditë në dispozicion.
Kurse, periudha e votimit përmes postës për votuesit e regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës fillon më 15 shtator dhe përfundon më 15 tetor, gjithsej 31 ditë.
Lista jopërfundimtare e votuesve përmban: 1 milion e 894 mijë e 254 votues. /FrontOnline/