Vetëvendosje proteston të enjten, mobilizohen degët e kësaj e partie!

Lëvizja Vetëvendosje nuk po rri duarkryq duke e pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pranimin ose jo të dekretit të presidentit që ia jep mandatin Avdullah Hotit për ta krijuar qeverinë e re.

Burime të sigurta të Ballkani.info ka bërë të ditur sonte se tashmë në degët e VV-së gjithandej Kosovës ka filluar mobilizimi që të enjten të protestohet në Prishtinë.

“Tashmë pikat e VV-së gjithandej Kosovës janë njoftuar për mobilizim që të enjten të kundërshtohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për mandatarin. Kemi informacione se nesër do të del vendimi i Gjykatës dhe ai nuk do të jetë në favorin tonë”, ka thënë për Ballkani.info një burim brenda Vetëvendosjes.

Sipas një burimi tjetër, i cili po ashtu ka preferuar të mbetet anonim protesta pritet të fillojë të enjten rreth orës 16 e 30 – 17:00.

Për të qenë më të sigurt që do të mbahet distanca ndërmjet protestuesve, aktivistë të kësaj partie sot para Kuvendit/Presidencës kanë vendosur pika të reja të kuqe, duke dëshmuar kështu se janë gati për të protestuar.