Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka njoftuar se të premten do të mbajnë një tubim në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë.
Ai ka thënë se tubimi do të mbahet duke respektuar distancën.
“Në mbledhjen e sotme me Qendrat e Lëvizjes Vetëvendosje! diskutuam për shumë çështje politike dhe organizative. Nga data 10 qershor 2020 e deri më 17 qershor 2020 mbahet ‘Java e Lëvizjes’, organizim yni ky tradicional i përvitshëm me aktivitete të shumta. Në veçanti Qendrat tona shprehën gatishmërinë dhe interesimin që 21 vjetori i çlirimit të Kosovës dhe 15 vjetori i Vetëvendosje-s, të premten e ardhshme të 12 qershorit 2020, të shënohet me një tubim publik, duke e mbajtur distancën, në Sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kreu i VV-së, ka theksuar se krahas tubimit do të vazhdojnë edhe me mbledhjen e nënshkrimeve të peticionit “Duam Zgjedhje” anembanë Kosovës.